17 Marsi premtues për negociatat tona!

EKSKLUZIVISHT PËR ARGUMENTUM

Nga Dr. Jorgji KOTE

Është fjala për zhvillimin më 15 - 17 Mars të zgjedhjeve të reja parlamentare në Holandë. Ato u bënë në kushtet e rënduara të pandemisë dhe dorëheqjes kolektive të qeverisë dy muaj më parë, pas një afere abuzimi me përfitimet ekonomike për fëmijtë.

Këto zgjedhje ishin tejet të rëndësishme sidomos për të parë fatin e forcave populiste dhe ekstremiste, të cilat vitet e fundit janë forcuar ndjeshëm dhe në Holandë. Për më tepër që tema e tyre më e preferuar dhe djegëse është alergjia nga azili i paligjshëm me pasojat e tij negative dhe zgjerimi europian drejt Ballkanit Perendimor, ku përfshihet dhe skepticizmi holandez për çeljen e negociatave me vendin tonë.

Ja pse, rezultati i zgjedhjeve të 17 Marsit pritej me mjaft interes kudo në Europë dhe ai nuk na zhgënjeu. Kryeministri Mark Rutte me partinë e tij « Për liri dhe demokraci » ( VVD) fitoi mandatin e katërt rradhazi me 35 vende në Parlament, ose dy më shumë se më 2017. Kjo fitore në rritje shpjegohet me besueshmërinë politike dhe jo më pak me sjelljen dhe staturën e tij të veçantë politike të skalitur në 10 vitet e fundit në krye të koalicionit qeveritar me katër parti të djathta. Kështu, ai vazhdon të shkojë në punë me biçikletë, banon në të njëjtën shtëpi në një lagje të Hagës dhe mban po atë shoqëri. Ndaj e quajnë « Zotëria Normal « i inoksidabël! Në vend të dytë me 23 vende, ose katër më shumë se më 2017 ridoli partia tjetër pro-europiane D-66 e Sigrid Kaag, ministre e Tregtisë dhe Zhvillimit. Partia tjetër qeveritare liberale CDA fitoi 15 vende, me një rënie të lehtë, ndërsa fituesja tjetër e madhe e koalicionit qeveritar është FvD-ja ; nga 2 që kishte, tani ka tetë deputetë!

Kryeministrit Rutte i mjaftojnë këto katër parti për të krijuar një shumicë të rehatshme me 82 vende, nga 76 të nevojshme në Parlamentin me 150 vende. Një parti tjetër e moderuar që vetëm 5 vjet pas krijimit siguroi 4 vende është VOLT, përfaqësuese e rinisë dhe e forcave pro-europiane. Kësisoj, për çdo rast, ajo përbën një « gur rezervë » për një qeveri stabël me « aromë » të shtuar europiane.

Humbësja më e madhe e 17 Marsit ishte « Partia e Lirisë « e ekstremit të djathtë e Gert Wilders, e cila në fakt në këto zgjedhje « shkoi për lesh dhe u kthye e qethur » Ajo siguri vetëm 17 ose 4 vende më pak se katër vite më parë, duke qenë e rrethuar nga parti të vogla të majta pro-europiane. Kjo humbje erdhi si pasojë e pjesëmarrjes rekord në votime me 82 për qind dhe fakti se « kryefjala « e këtyre zgjedhjeve ishte COVID - 19 dhe menaxhimi i saj. Sa për azilin dhe emigracionin me dukuritë e tyre negative, ato pothuajse nuk u zunë në gojë si shqetësime të elektoratit, duke kaluar « prapa liste ».

Të dy këto janë lajmë pozitive dhe premtuese lidhur me pritshmërinë e njjë qëndrim pozitiv të Holandës lidhur me çeljen e negociatave me vendin tonë.

Një ogur i mirë ky kur dhe vendi ynë muajt e fundit ka bërë përparime në plotësimin e shumë kushteve të njohura, sidomos me krijimin e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë, etj.

Dihet se vitet e fundit lidhur me negociatat « na ka ngecur sharra në gozhdë » me Holandën. Qeveria dhe Kryeministri Rama vazhdimisht e kanë justifikuar JO-në holandeze me tematikën e lartpërmendur si « dinamikë e brendshme ».

Në fakt, kjo qëndron vetëm pjesërisht por jo si faktor përcaktues, ashtu si dhe në rastin e Francës, Danimarkës e ndonjë vendi tjetër.

Sepse, « të rrimë shtrembër por të flasim drejt », padyshim që azili i paligjshëm dhe krimi i organizuar shqiptar përbën shqetësim jo të vogël në Holandë. Kjo pavarësisht nga shifrat tona zyrtare dhe realiteti në terren. Tani, « e di dhe bufi » se perceptimi publik dhe imazhi i zhvleftësojnë shifrat statistikore dhe të vërtetat zyrtare. Pastaj, populistët manipulojnë jo me shifrat e sotme, por me perceptimin publik nëpërmjet drojës dhe frikës së elektoratit, se në mos sot, nesër do të jetë dhe më keq, nëse ata nuk do  t'ia jepnin votat e Geert Wilders me shokë.

Megjithatë, është shumë e qartë se skepticizmi holandez dhe i vendeve të tjera nuk ka të bëjë vetëm me dukuritë e mësipërme, por në rradhë të parë me plotësimin e 15 kushteve të njohura.

Ca më tepër, që Holanda dallon mbasi është vend bashkëthemelues i BE-së, me standarde tejet të larta dhe mjaft kërkuese ndaj dhe vetë BE-së. Kështu, më 2005 ajo i tha me referendum JO Projektit të Kushtetutës së re europiane. Po kështu, vitin e kaluar ajo pranoi vetëm në minutat e fundit kompromisin e BE-së lidhur me bashkimin e borxheve në ndihmë të vendeve më të prapambetura. Kryeministri Rutte u tregua tejet i vendosur ; madje, për të treguar se ai e kishte mbyllur atë muhabet, kishte marrë me vehte për ta lexuar në Takimin e Brukselit Biografinë e Shopenit. »Shkurt hesapi, me Holandën « nuk ka hatër » me të « nuk bëhet shaka » dhe nuk ecën as diversioni dhe ndërhyrja, qoftë dhe nga më të mëdhenjtë !

Lidhur me kushtet, siç e kemi përmendur dhe te rubrika « Realpolitik » e fundit, plotësimi i tyre mbetet për t‘u gjykuar dhe certifikuar jo nga ne apo dhe Komisioni Europian, por nga secili vend antar i BE-së; gjithsesi, ato do të zhvleftësoheshin, nëse 25 Prilli ynë do të na zhgënjente, dmth nëse zgjedhjet nuk do të respektonin standardet e OSBE-së e nuk do të pranoheshin nga pala humbëse.

Kështu që, pas 17 Marsit holandez, sado premtues që është, duhet pritur nga të gjithë 25 Prilli shqiptar, madje dhe krijimi i qeverisë së re, me angazhime konkrete bindëse; vetëm kështu mund të na jepet PO-ja e shumpritur për çeljen e negociatave.

Gjithsesi, 17 Marsi holandez me rezultatet e tij inkurajuese është zhvillim i mirëpritur, premtues dhe lehtësues për ne. Megjithatë, ai nuk do marrë si i mirëqenë për negociatat ; aq më tepër kur Holanda nuk është « as e para dhe as e fundit » në hezitimet e saj. Ja pse, kërkohet impenjim dhe më i madh e serioz nga vendi ynë tani e sidomos pas 25 Prillit. Me objektiv që gjithçka të shkojë mirë, që këto negociata të mund të fillojnë në korrik ose qoftë dhe në tetor të këtij viti. Ndryshe, do të vijonim me refrenin e bezdisshëm « shtyje ta shtyjmë »

/argumentum.al

© Argumentum