Akuzat e SHBA-së/ Rusia hedh poshtë raportin amerikan për ndërhyrje në zgjedhje

Kremlini ka hedhur poshtë raportin e Shteteve të Bashkuara, në të cilin është thënë se presidenti rus, Vladimir Putin ka autorizuar operacione dezinformuese, me qëllim të tentimit të ndikimit në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar.

Megjithatë, Rusia ka thënë se është duke u përgatitur për sanksione të reja rreth këtyre çështjeve.

Duke i konsideruar pretendimet “absolutisht të pabazuara” zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, ka thënë më 17 mars se Rusia “nuk ka ndërhyrë” në zgjedhje dhe “nuk ka qenë e përfshirë në fushata kundër ndonjë kandidati”.

Komentet e Peskovit kanë ardhur si përgjigje ndaj raportit të publikuar nga Zyra e Drejtorit për Inteligjencë Kombëtare më 16 mars, që tregon se Putin “ka autorizuar një varg organizatash qeveritare ruse që të ndikonin në operacione, me qëllim të denigrimit të kandidaturës së presidentit, Joe Biden dhe Partisë Demokratike, duke përkrahur ish-presidentin, Donald Trump, për të minuar besimin publik në procesin zgjedhor dhe për të rritur ndarjet sociopolitke në Shtetet e Bashkuara”.

Agjencia e lajmeve Reuters ka cituar disa burime të kenë thënë se Uashingtoni pritet të vendosë sanksione ndaj Rusisë këtë javë, për shkak të përfundimeve të raportit.

Akuzat e SHBA-së do të “përdoren, me shumë mundësi, si arsyetim për të vendosur në agjendë çështjen e sanksioneve të reja kundër shtetit tonë”, ka thënë Peskov.

“Natyrisht, ne jemi të detyruar të marrim të gjitha masat e nevojshme, në mënyrë që të mbrohemi nga çfarëdo rreziku i lidhur me sanksionet e mundshme, dhe të mbrojmë interesat e shtetit tonë sa më shumë që është e mundur”, ka shtuar ai.

Biden ka mposhtur Trumpin në zgjedhjet e 3 nëntorit dhe është inauguruar më 20 janar.

Në raport është thënë se strategjia e Moskës ishte e lidhur rreth shfrytëzimit “të rrjeteve të lidhura me inteligjencën ruse, për të shtyrë përpara narrativat e ndikimit” në mediat amerikane, te zyrtarët dhe individë të mirënjohur në zgj

Mes tjerash në gjetje është përmendur se nuk ka të dhëna që Qeveria ukrainase është përfshirë në këto operacione të ndikimit.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba i ka quajtur këto përfundime si “një tjetër fiasko e zëshme për Rusinë”.

Moska ka mohuar vazhdimisht pretendimet e Perëndimit për ndërhyrje në zgjedhje.

Në raportin e inteligjencës amerikane është akuzuar edhe Irani për kryerje të disa fushatave me qëllim të dëmtimit të fushatës së Trumpit, mirëpo jo edhe të promovimit aktiv të Bidenit.

Zyrtarët iranianë nuk kanë komentuar ende supozimet.

Trump ka zbatuar fushatë me presion maksimal ndaj Teheranit, për shkak të programit bërthamor dhe atij të raketave, si dhe për mbështetje të rrjeteve rajonale, çka ka rezultuar me sanksione të ashpra të SHBA-së ndaj Iranit.

Megjithatë, në raport është cekur se asnjë qeveri e huaj nuk ka ndikuar në rezultatet finale të zgjedhjeve te vitit të kaluar.

Raporti ka cituar figura të lidhura me Ukrainën, por të afërt edhe me inteligjencën ruse, si subjekte që kanë përhapur dezinformata rreth supozimeve për korrupsion që përfshijnë Bidenin, djalin e tij Hunter dhe Ukrainën./rel