Bashkim Fino na la, humbëm njeriun e politikës dhe politikanin njerëzor

Prof. Lisen BASHKURTI

Bashkim Fino na la fare papritur. Humbëm një njeri të mrekullueshëm, Një njeri të politikës. Një politikan njerëzor. Humbëm një model të mirë dhe pozitiv për të gjithë, modelin sesi lypet të jetojmë, të sillemi, të punojmë dhe të kontribuojmë.

E kam njohur në furtunën e vitit ’97, kur të gjithë ishim të trazuar dhe të acaruar, Fino ishte i qetë dhe i qeshur. U ul në karrigen e Kryeministrit me vlera njerëzore, me mirësi, dashamirësi, tolerancë, durim, maturi. Dhe ishte fare i ri, por u zbardh shumë shpejtë. Ishte njeriu i përgjegjshmërisë së lartë, që e demonstroi në një prej krizave më të mëdha në historinë e Shqipërisë moderne.

U largua nga posti i Kryeministrit pa rrahje gjoksi, pa ambicie, pa ego personale, pa qefëmbetje, pa inate, pa revanshe. Këto vese të politikës shqiptare nuk kishin të bënin me të. Ose ai nuk kishte lidhje me to.

Bashkimi ishte dhe mbeti përbashkues sic e kishte emrin. Përbashkues në familje, në shoqëri, në politikë dhe në shtet. Pluralizmi nuk e polarizoi asnjëherë, nuk e denatyrizoi etikisht, nuk e përzvalti si shumë të tjerë ose si shumicën. Ai mbeti një socialist i përkushtuar për kauzën e majtë, por pa armiqësi për të djathtën. Ai ishte admirues I së djathtës, por pa hequr dorë asnjëherë nga socialdemokracia, të cilës i kushtoi jetën.

Bashkim Fino na la kur i nevojitej më shumë se kurrë familjes, miqve dhe shokëve, shoqërisë, politikës dhe shtetit shqiptar. Humbën një njeri të politikës. Humbën një politikan njerëzor.

Lamtumirë i shtrenjti Bashkim Fino! U prehtë në paqe shpirti yt i mirë!

©  Argumentum