BE-ja shtrëngon eksportin e vaksinave, përfshihet edhe Ballkani

Bashkimi Evropian ka vendosur që edhe vendet e Ballkanit Perëndimor t’iu nënshtrohen parimeve të reja në lidhje me importin e vaksinave kundër COVID-19.

Të mërkurën, Komisioni Evropian ka prezantuar kriteret e reja që do të merren parasysh për autorizimin e eksporteve të vaksinave kundër COVID-19.

Sipas një deklarate të lëshuar nga Komisioni, qëllimi i kësaj mase është t'u sigurojë qytetarëve të BE-së qasje me kohë në vaksina.

Deri më tani, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë qenë të përjashtuara nga mundësia e kufizimit të importit të vaksinave nga BE-ja, mirëpo prej tash kjo nuk do të vlejë më për këto vende.

Masat u morën, siç u tha, me qëllim të kontrollit të eksporteve.

Praktikisht, vendet e Ballkanit Perëndimor janë në listën e vendeve për autorizimin e eksportit të vaksinave, njoftoi Komisioni Evropian të Mërkurën (24 mars), por ato duhet të përmbushin parimet e reciprocitetit të cilat janë vendosur nga BE-ja në mënyrë që të fitojnë të drejtën e importit të vaksinave.

Bazuar në rregullat e reja, BE-ja vendos se kur i lejohet një vendi të importojë vaksina nga blloku.

Në listën e vendeve që do të vlejnë rregullat e reja, ndër të tjera, janë: Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, dhe Bosnje dhe Hercegovina. Në dokument nuk përmendet Kosova.

Nënpresidenti i Komisionit Evropian, Valdis Dombrovskis, tha se ky nuk është një ndalim i plotë i eksportit të vaksinave, por një përpjekje për të kontrolluar eksportin.