COVID-19/Komiteti Teknik i Ekspertëve: Maturantët kthehen në klasa!

Komiteti teknik i ekspertëve të shëndetësisë ka zhvilluar një mbledhje këtë të mërkurë në lidhje me masat anti-Covid.

Mbledhja e Komitetit Teknik u zhvillua këtë mesditë dhe la në fuqi të njëjtat masa për mbylljen e vendit, por maturantët i lejoi të shkonin në shkolla.

“Duke u bazuar në shifrat e infeksionit në grupmoshat 15-20 vjeç, në kushtet e momentit që zhvillohet viti akademik maturat të fillojnë mësimin në klasë. Kjo është një masë në vijimësi, e cila do të monitorohet nga shifrat. Maturat siç ka qenë shkolla nëpër klasa duhet të zbatojnë protokollet e sigurisë”, tha Rakacolli.

Në mënyrë që të përgatiten sa më mirë për provimet që do të duhet të japin në përfundim të vitit shkollor, maturantët në zonat e kuqe janë lejuar që të kthehen në shkolla.

Deri tani nuk ka asnjë vendim për kthimin e të gjithë nxënësve në shkolla, ndërsa anëtarët e Komitetit thanë se situata është e qëndrueshme dhe nën kontroll.

Deri më tani në vendin tonë janë shënuar 2227 viktima, 31 mijë e 879 të sëmurë aktive dhe 90 mijë e 617 të shëruar. Ndërsa numri i të vaksiniarve, sipas ministres Ogerta Manastirliu ka shkuar në 119 mijë e 123 në total.

“Është bërë një ritual vlerësimi i masave. Sot do të shqyrtojmë periudhën nga 17-30 mars. Incidence dy javore ka pësuar një zbritje. Mesatarja gjithashtu. Totali i rasteve aktive ka pësuar zbritje gjithashtu. Ne akoma nuk jemi të kënaqur sepse për të gjithë ata që ndjekin nga afër situatën, objektivi është të shkojmë shumë më poshtë. Numri i bashkive të prekura ka pësuar rritje, e cila ka shkuar në 40. Mesatarja e shtrimeve në spitale ka pësuar ulje. Numri i të intubuarve ka pësuar ulje. Një numër më i pakët është ai i vdekjeve. Kjo situatë në krahasim me atë çfarë ne vlersuam herës së kaluar, ka disa ndryshime që mund të jenë të vogla, por në tërësinë e vet, ne mendojmë se mbetet një situatë me numra të kontrolluar, por sërish delikate. Ne kemi një shkak për tu ndjerë më mirë, atë të nisjes së vaksinimit masiv. Deri dje janë kryer 21 mijë e 536 vaksina dhe numri ka arritur në total në 100 mijë. Që prej fillimit të fushatës janë janë kryer në total 119 mijë e 321 vaksinime”, tha Fico.

Masat që mbeten në fuqi:

Vendi do të mbyllet gjatë fashës orarë 20:00-06:00.

Qytetarët nuk lejohet që të levizin gjatë kësaj fashe orare.

Përjashtim bëjnë rastet e emergjencave shëndetësore dhe për arsye pune. Në rastin e fundit duhet të keni lejen e posaçme.

Gjatë kësaj faze orare nuk lejohet aktiviteti i bareve, restoranteve, klubeve, nga ora 20:00 e mbrëmjes – 06:00 të mëngjesit. Përjashtim bëjnë shërbimet delivery.

Shkollat e mesme në zonat e riskut të lartë vijojnë online përveç maturantëve.

Universitetet do të vijojnë me mësimin online.

Fluturimet me Britaninë e Madhe mbeten të pezulluara.