Dua Lipa me Grammy për pop albumin e vitit

Taylor Swift dhe Billie Eilish fituan çmimet kryesore në ceremoninë e së dielës të çmimeve Grammy, në të cilën këngëtarja Beyonce u bë artistja më e vlerësuar në historinë e Grammyt.

Albumi befasues "Folklor" që Taylor Swift e nxori gjatë karantinës, u shpall albumi i vitit dhe “Everything I Wanted” e Billie Eilish u shpall regjistrimi i vitit.

Fitorja e së dielës e bëri këngëtaren Taylor Swift, 31 vjeçe, gruan e parë që mori për të tretën herë në shtëpi çmimin për albumin e vitit.

Katër çmime Grammy të fituara nga Beyonce të dielën e çuan në 28 numrin e fitoreve në karrierën e saj duke tejkaluar edhe këngëtaren Alison Krauss

Këngëtarja britanike me prejardhje nga Kosova, Dua Lipa, fitoi çmimin për albumin më të mirë pop, “Future Nostalgia”.

“Ishte mahnitëse të shohësh kaq shumë gra të fitojnë sonte... Dhe ndjehem shumë krenare që jam pjesë e saj”, tha Dua Lipa pas shpalljes së çmimeve.

Autorët e "I Can't Breathe" nga R&B H.E.R fituan çmimin për këngën e vitit. Ajo është shkruar në përgjigje të protestave Black Lives Matter në Shtetet e Bashkuara verën e kaluar.

Reperja Megan Thee Stallion u shpall artistja më e mirë e re dhe 26 vjeçarja e njohur për promovimin e fuqizimit të grave fitoi edhe dy çmime Grammy për shfaqjen e saj në këngën "Savage", bashkë me këngëtaren Beyonce.

E drejtuar nga Trevor Noah, ceremonia ishte e mbushur me interpretime të regjistruara paraprakisht dhe interpretime të drejtpërdrejta nga artistë si Dua Lipa, Taylor Swift, Post Malone, Cardi B, DaBaby, Black Pumas dhe Mickey Guyton.