Gazetarja shqiptare në Rusi: Nuk do të ketë refuzim të 'Sputnik V' për Shqipërinë

Diana Dyrzi, gazetare shqiptare në Rusi tha për Euronews Albania se pavarësisht refuzimit që më herët Shqipëria i bëri vaksinës ruse, tashmë që me një akt normativ nga ana e qeverisë i është hapur rruga edhe përdorimit të ‘Sputnik V’, nuk do të ketë refuzim për ta dërguar këtë vaksinë edhe në vendin tonë.

“Rusia është shprehur e hapur për vaksinën dhe prodhimin e përbashkët të vaksinave. Mendoj se do të jetë e gatshme për të realizuar dërgesat edhe në Shqipëri”, tha gazetarja.

Ajo tregoi se vaksinimi me ‘Sputnik’ V vijon me ritme të larta në këtë vend, ndërkohë që dhjetëra shtete kanë bërë kërkesë për ta marrë ose kanë nënshkruar marrëveshje për ta prodhuar vaksinën ruse, mes tyre Italia, Franca dhe Gjermania.

“Nëse merret aprovimi nga EMA, ajo do të bëhet vaksina e parë jo perëndimore e përdorur në vendet e BE. Hungaria e miratoi që në shkurt dhe ka nisur vaksinimin në masë. Në Itali do të prodhohet ‘Sputnik 5’, ndërsa janë dërguar delegacione zyrtare edhe në Gjermani.

51 shtete e kanë regjistruar tashmë këtë vaksinë, por në 12 prej tyre kanë nisur të përdoret”, tha znj. Dyrzi.