Hendeku BE-Ballkan, Forumi Ekonomik i Tiranës: Ka progres, por duhet bërë më shumë

Është zhvilluar sot në një formë virtuale Forumi Ekonomik i Tiranës, i cili është një takim i nivelit të lartë i liderëve të ndryshëm politikë, drejtuesve të korporatave etj., të cilët adresuan problemet dhe sfidat kryesore të Shqipërisë dhe çështjeve të tjera të rëndësishme globale.

Forumi u përshëndet nga liderë të ndryshëm të rajonit të Ballkanit, përfaqësues të ambasadave më të rëndësishme në Shqipëri si dhe Komisioneri Evropian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi.

“Shpresoj që konferenca e parë ndërqeveritare të mund të zhvillohet sa më shpejt që të jetë e mundur edhe nën presidencën portugeze. Komisioni vlerëson që të gjitha kushtet janë plotësuar për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare dhe që negociatat për pranimin e Shqipërisë në BE mund të fillojnë. Kjo falë reformave të rëndësishme të sistemit elektoral, sundimit të ligjit, sistemit të drejtësisë duke përfshirë dhe vettingun e gjyqtarëve dhe të prokurorëve, të cilët janë monitoruar nga afër nga Komisioni. Mund të bëjmë më shumë dhe duhet të bëjmë më shumë. Nuk është vetëm në të mirën e Shqipërisë, jo vetëm në të mirën tonë, por në interesin e dyanshëm të kemi progres ekonomik në rajon”, tha Oliver Varhelyi.

Në forumin virtual ishin të pranishëm dhe liderë të rëndësishëm të rajonit të Ballkanit, të cilët e kanë përshëndetur nismën dhe kanë bërë thirrje për më shumë solidaritet mes vendeve të cilat kanë një të ardhme të përbashkët në Bashkimin Evropian.

Ndërkohë në fjalën e saj, ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim tha se pozicioni i SHBA në Ballkanin Perëndimor mbetet për një rajon në paqe me veten dhe fqinjët. Ambasadorja Kim foli për sfidat e Shqipërisë duke thënë se do të duhet të bëjë më shumë brenda vendit për të forcuar institucionet dhe ekonominë duke theksuar se problem mbetet korrupsioni në drejtësi dhe politikë.

“Korrupsioni mbetet një shqetësim kryesor i Shteteve të Bashkuara si në gjyqësor ashtu edhe në politikë. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë punuar ngushtë me partnerët tanë shqiptarë për të nxitur një proces të dhimbshëm të reformës në drejtësi. Kjo ka filluar të japë fryte dhe, me gjykata të pastra do të shohim investime të huaja më të mëdha, më shumë vende pune për të rinjtë e talentuar të vendit dhe drejtësinë e paanshme të shumëpritur të sistemit gjyqësor nga ata që kanë nevojë”, deklaroi ambasadorja amerikane.

Diplomatja deklaro se vendet e rajonit kanë potencial për një rritje me 7% të GDP ndërsa si investime strategjike për zhvillimin e Shqipërisë përmendi energjinë e rinovueshme duke e cilësuar si vendin e lakmuar të rajonit.

“Ne po shohim një arkitekturë të re të energjisë që po shfaqet në rajon dhe projektet e ndryshme në zhvillim këtu – nga Skavica në Vlorë – do ta pozicionojnë Shqipërinë për të ndihmuar në zgjidhjen e sfidave të energjisë dhe çështjeve të ndryshimit të klimës, jo vetëm për Shqipërinë, por për Ballkanin Perëndimor dhe vendet e BE-së gjithashtu”, përfundoi ambasadorja Kim./euronewsalbania