Këshilli i Stabilizim Asociimit: Shqipëria ka bërë progres në fushat e reformave

Këtë të hënë në Bruksel u zhvillua takimi i njëmbëdhjetë i Këshillit të Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.

Me anë të një deklarate të shpërndarë për mediat nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Stabilizimit thuhet se ka shprehur një sërë vlerësimesh për sfidat e Shqipërisë dhe rrugën që po ndjek për t’u anëtarësuar në familjen e Bashkimit Evropian.

“Këshilli i SA mirëpriti vendimin historik të Këshillit të Bashkimit Evropian, në Mars 2020, për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë. Këshilli i SA njohu pozitivisht Raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë 2020, i cili vlerësoi se Shqipëria i rriti përpjekjet e saj dhe shënoi rezultate të mëtejshme, të prekshme dhe të qëndrueshme në fushat kryesore të identifikuara në Konkluzionet e Këshillit”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, siç thuhet në deklaratë, Këshillit i Stabilizimit thotë se Shqipëria ka bërë progres në reformat dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës.

“Këshilli i SA rishikoi dhe vuri në dukje progresin në fushat e reformave duke përfshirë shtetin e së drejtës dhe gjyqësorin, respektimin e të drejtave themelore, administratën publike, politikën ekonomike, arsimin dhe punësimin, ndërlidhshmërinë dhe axhendën e gjelbër. Këshilli i SA vlerësoi vendosmërinë e Shqipërisë në zbatimin e reformave të lidhura me procesin e integrimit evropian”, sqarohet më tej.

Po ashtu, si hap pozitiv shihet edhe procesi i vettingut dhe funksionimi i Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese.

“Një theks i veçantë u vu tek procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve (“procesi i vetingut”) si edhe tek Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë, që kanë rifilluar tashmë nga puna. Këshilli i SA vlerësoi pozitivisht se organet e reja të specializuara të Shqipërisë për të luftuar anti-korrupsionin dhe krimin e organizuar kanë filluar të veprojnë”, shtohet më tej

Gjatë takimit theksi u vendos edhe tek zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë më 25 prill, ndërsa Këshilli i Stabilizimit bën thirrje që të zbatohet të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR.

“Këshilli i SA shënoi përparimin e bërë në përgatitjet praktike për zgjedhjet e ardhshme. Në këtë drejtim, Këshilli i SA ra dakord mbi nevojën për ndjekje të mëtejshme të të gjitha aspekteve që përfshihen në rekomandimet e OSBE / ODIHR, si dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias në lidhje me zgjedhjet e ardhshme”, thuhet më tej.

Takimin e drejtoi përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë / Zëvendëspresidenti i Komisionit, Josep Borrell, ndërsa delegacioni i Shqipërisë u përfaqësua nga kryeministri Edi Rama.