Kur Hapeshin Themelet ... 30 Vjet Miqësi e Madhe SHBA-SHQIPËRI

(Kujtime të një diplomati)

Nga Bashkim Pitarka*

15 Mars 1991, një datë historike në marrëdhëniet miqësore SHBA-SHQIPËRI. Në këtë ditë u nënshkrua në Uashington Memorandumi i Mirekuptimit për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis SHBA dhe Shqipërisë, pikërisht një vit pas siglimit të projekt-memorandumit të mirëkuptimit në selinë e Departamentit të Shtetit në Washington DC,nga ana e të dy kryenegociatorëve të të dy palëve.
Më kujtohet që i gjithë ky proces historik diplomatik nisi nga një telefonatë në zyrën e ambasadorit shqiptar pranë OKB-së nga zyra e sekretares së zv.Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në atë kohë, ish ambasadorit amerikan Roland Spiers. Sekretaria e tij i përcillte ambasadorit shqiptar një ftesë private për një drekë që zoti Spiers dëshironte të jepte për ambasadorin Pitarka.

Më lejoni të bëj një digresion: në ato kohra kur nga diplomacia shqiptare ruhej, me urdhër nga lart,një qëndrim tepër i ngurtë lidhur me kontaktet e marrëdhëniet me dy superfuqitë, ambasadorit tonë i vinte një ftesë e tillë nga një funksionar i lartë amerikan i OKB-së. Refuzimi i një ftese të tillë, që dikur ndalohej me urdhëra e vendime të posaçme, sot do të quhej një gafë diplomatike dhe gomarllëk i madh, por në atë kohë një përgjigje pozitive mund të kushtone shumë, postin diplomatik e më tej. Jo shumë kohë më parë ambasadorit tonë në Meksikë një foto me ambasadorë të tjerë në Meksiko, ku shihej edhe ambadadori i SHBA-së, i kushtoi shumë shtrenjtë, kariera në diplomaci, përjashtimi nga partia (Partia e Punes e Shqiperise) dhe degendisja në punë prodhuese në një uzinë..
Po unë si duhej të veproja!!??. Ftesa ishte për drekën tet-a-tet te ditës së nesërme, pra nuk mbetej kohë të konsultohesha, dhe të merrja aprovimin e qendrës...
Mbi bazën e një analize të situatave dhe nuhatjes politike që më lejohej mendova të ndërmirrja hapin e guximshëm, ta pranoja këtë ftesë duke e argumentuar me faktin se kisha të bëja me rastin e numrit dy të Sekretariatit të OKB-së, pavarësisht se kishte qenë kuadër i lartë i diplomacisë amerikane, dhe mendimit se kjo ftesë mund të ishte sondazh nga ana e Departamentit amerikan të Shtetit lidhur me marrëdhëniet diplomatike.
Ambadadori R.Spiers kish qënë para emrimit në OKB, një nder ndihmësat e Sekretarit amerikan të Shtetit Xhejms Bejker. E ngarkova sekretaren time, zonjën Mimoza Gjika, ta njoftonte sekretaren e zotit Spiers se e pranoja me mirënjohje ftesën për drekën e së nesermes në restorantin e delegatëve pranë OKB-së.
Nga ana ime njoftova hollësisht ministrinë e jashtme për ngjarjen dhe ofrova mendimet e argumentat e mija, veçanërisht për mundësinë e ngritjes së çeshtjes së marrëdhënieve mes dy shteteve tona.

Nga qendra erdhën udhëzimet me shkrim, ndër të cilat udhëzohesha që lidhur me çështjen e marrëdhënieve diplomatike t'i thuhej se "nga pala jonë nuk kishim ndonjë kundërshtim, por se do të ishte mirë që duke marrë parasysh historinë përkatëse, më parë të behej një deklaratë zyrtare në mass media nga pala amerikane..."
Dreka me funsionarin e lartë amerikan shkoi mjaft mirë dhe ngrohtësisht. Pas bisedës së përgjithshme mbi problemet e ditës në OKB, ambasadori Spiers u fut menjëherë në temën që kisha menduar që mund të hapej prej tij. Me një ton miqësor më pyeti pse nuk kishim marrëdhënie diplomtike midis dy shteteve tona. I fola shkurt mbi historikun e tyre dhe mbi disa kontakte e shkëmbime mendimesh mbi to në dy- tri vende ku të dy palët kishim përfaqësi diplomatike në rang ambasadorësh, por pa ndonjë rezultat konkret. Atëherë ai më tha se ishte i gatshëm të bëhej ndërmjetës mes nesh dhe Departamentit amerikan të Shtetit për të lançuar një zhvillim apo hapa konkrere për arritjen sa më parë të një marrëveshjeje.

Sipas udhëzimit nga qendra i vura në dukje se, sipas mendimit tonë nuk ka ndonjë pengesë thelbësore por për opinionin publik shqiptar e të huaj do të ishte e udhës që të ndërmerrej nga pala amerikane si psh e ndonjë deklarate zyrtare për gatishmërinë e saj për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike apo tjetër të kësaj natyre.
Në fakt nuk vonoi shumë që pala amerikane të dilte me deklaratë për shtyp ku theksohej se SHBA është e gatshme të rivendosnin marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë në kohën dhe vendin më të mundshëm.
Deklarata u bë nga një drejtues i lartë i Departamentit të Shtetit që mbulonte marrëdhëniet me Europën Lindore.
Në fillim të muajit mars të vitit 1990 ambasadori i SHBA-së pranë OKB-së Eagleton më përcolli propozimin zyrtar të Departamentit të Shtetit për fillim e negociatave zyrtare dy palëshe me dy takime, një në New York e një në Washington DC, si dhe propozoi një datë për një takim me delegacionin amerikan në selinë e OKB-së, mundësisht në një ditë të shtune, kur nuk ka gazetarë e publik.
Pas dy-tri ditësh pala jonë dha pëlqimin dhe ramë dakord që negociatat zyrtare të fillon në ditën e shtunë të fundit të muajit mars në një nga sallat e konsultimeve pranë Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Ditën e takimit të parë delegacioni amerikan përbëhej nga ndihmësi i Sekretarit të Shtetit, ambasadori Krammer,
ambasadori pranë OKB-së, Eagleton dhe dy funksionarë të drejtorisë përkatëse në Departamentin e Shtetit.

Nga pala jonë morëm pjesë: unë, z. Genc Mlloja, këshilltar i misionit dhe z. Sazan Bejo,sekretar i parë i këtij misioni.
Bisedimet kaluan në atmosferë korrekte diplomatike. Në to u ra dakord që për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve të përgatitej një memorandum mirëkuptimi, projekt-teksti i të cilit do të përgatitej nga pala anerikane që do të na e dërgonte më parë për shqyrtim e miratim nga ana e palës sonë dhe më pas të diskutohej e të bihej dakord mbi tekstin e projektit, duke u sigluar nga të dy kryesuesit e delegacioneve pjesëmarrëse në këto negociata, që në takimin e dytë në Departamentin e Shtetit në Washington DC në një datë për të cilën do të binim dakord të dy palët, të negociohej mbi projekt-memorandumin dhe po atë ditë të bëhej siglimi i tij. Në ato bisedime u ra dakord të procedohej shpejt dhe pa u njoftuar në shtyp. (Kjo e fundit ishte kërkuar nga pala jonë).
Pas shyrtimit nga pala jonë e tekstit të projekt-memorandumit, palët ranë dakord për datën e negociatave të dyta dhe siglimin e atij projekti mbi të cilin do të bihej dakord në Washington DC.
Në takimin e dytë në Washington nga pala jonë morëm pjesë unë si kryenegociator diplomatik dhe z. Genc Mlloja, këshilltar i misionit tonë pranë OKB-së, ndërsa nga pala amerikane ishin po ata funksionarë të takimit të parë në New York të kryesuar nga ndihmësi i Sekretarit të Shtetit i ngarkuar me çështjet e marrëdhënive me Europën Lindore, ambasadori Krammer. Këtë rradhë në delegacion përfshihej edhe një funksionare e drejtorisë juridike.
Negociatat u zhvilluan normalisht dhe në frymë normale mirkuptimi. U diskutua edhe për marrëveshjet e vjetra dypalëshe të nënshkruara me qeverinë e ish-mbretit Zog. Këto marrëveshje ishin anulluar me ligj nga Kongresi i Përmetit të vitit 1944. Për dy nga ato marrëveshje paraqita mendimin që të ruheshin, siç ishin marrëveshja kosullore mbi natyralizimin, që garantonte trashëgimitë e emigrantëve shqiptarë dhe ajo mbi statusin e kombit më të favorizuar në tregëti, të cilat mund të ishin prioritare në marrëveshjet e ardhëshme mes dy vendeve. Pala amerikane nuk pati asnjë kundërshtim.

(Për këto dy marrëveshje unë kisha paraqitur më parë propozimin tim që u pranua nga qendra. Kam kënaqësinë tani të konstatoj se ky qëndrim provoi të jetë i drejtë, kur shumë familje shqiptare bënë bashkimin e tyre në SHBA apo përfituan pasuritë e lëna trashëgim nga të afërmit e tyre emigrantë të vdekur, si dhe vetë lehtësirat qe jepte marrëveshja e vjetër mbi trajtimin e statusit të kombit më të favorizuar në tregëti siç tregojnë fillimet e rëndësishme të shkëmbimve tregtare mes dy shteteve).
Teksti i projektit të memorandumit u diskutua e u redaktua me pëlqimin e dy palëve dhe u siglua pa ndonjë ceremoni të veçantë zyrtare nga dy kryenegociatorët.

Ramë dakord që sa më parë palët të caktonin datën e nënshkrimit të memoradumit të mirëkuptimit dhe nivelin e delegacioneve. Me udhëzim të qendrës unë paraqita propozimin tonë që pala jonë të kryesohej nga njëri prej këshilltarëve kryesorë të presidenit tonë ose të ministrit të Punëve të Jashme. Pala amerikane propozoi të ruhej i njejti nivel si për siglimin e projektit të memorandumit, duke vënë në dukje se praktika e tyre ishte që në të tilla raste firmosja bëhej në nivelin e ambasadorëve, por ranë dakord që pala shqiptare mund të dërgonte një delegacion në nivelin që do të dëshironte ajo.
Shënoj se kjo ngjarje historike diplomatike ndodhte shumë pak para vizitës historike në vendin tonë të një Sekretari të Përgjithshëm të OKB-së, siç ishte vizita zyrtare me ftesë të palës sonë, e ish- Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Shkëlqesisë së Tij zotit Perez de Cuellar, një mik i vërtetë i vendit tonë, me 2-4 Maj 1990.
Mua, si Përfaqësues i Përhershëm i Shqipërisë, më duhej të udhëtoja sa më parë për në Tiranë për të shoqëruar zyrtarin e lartë e të nderuar gjatë  vizitës së tij në Shqipëri.
Pala amerikane kish propozuar që nënshkrimi i memorandumit të bëhej në Washington e ambasadori Eagleton do të më priste në takim menjëherë pas kthimit tim në Nju Jork.

Vizita e de Kuellarit u zhvillua dhe përfundoi me sukses. Ajo vizitë mund të konsiderohej si historike për vendin tonë dhe zhvillimet e mëpasme drejt vendosjes së demokracisë, rikthimit të së drejtës së besimit fetar në Shqipëri dhe ardhjen e Nënë Terezës në vizitë zyrtare në Tiranë si dhe pjesëmarrjen për herë të parë të një presidenti shqiptar në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në atë rast të ish- presidentit Alia, etj.
Kur arrita në Tiranë mbeta i shokuar kur mësova se ishte vendosur të shtyhej (ose më mirë të thuhet të zvarritej)
rivendosja e marrëdhënieve diplomatike me SHBA. Skifterët e vijës së ashpër në rradhët e Byrose Politike e të KQ të PPSH ngrinin çështjen e spekullimeve se vallë vendi "mos binte në prehrin e imperializmit amerikan", të tjerë, disi më të moderuar, ngrinin versionin e të ashtuquajturës "ekuibalancë" në marrëdhëniet me dy superfuqitë, e si rrjedhim të niste edhe procesi i rivendosjes se marrëdhënieve edhe me BS.
Amerikanët mbeten të zhgënjyer me këtë qëndrim absurd dhe e lanë procesin për ditë më të mira kur të vendosnin edhe ato vetë.
E kështu ndodhi, ky proces u shty e u shty deri më 15 Mars 1991, kur kishin filluar ndryshimet e mëdha historike e kur në Shqipëri vepronte një qeveri teknike, ajo e kryesuar nga Ylli Bufi me ministër të Punëve të Jashtme Muhamet Kapllanin.
Pra u desh plot një vit për të arritur në ditën e shënuar të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy shteve.
Sot me 15 Mars 2021 shënojmë 30- vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike me aleatin tonë të madh strategjik, SHBA.

*Ambasador Bashkim Pitarka, ish- Përfaqësues i Përherëshëm e Fuqiplotë i Shqipërisë pranë OKB-së dhe ambasador në Kanada, ish- kryenegociator në negociatat për rivendosjen e marrëdhënieve SHBA- Shqipëri.

Florida, 15 Mars 2021

/argumentum.al

© Argumentum