Luljeta Bozo i bashkohet PS në zgjedhjet e 25 prillit/ Rama: Simboli i përpjekjes solidare të shqiptarëve,

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot inxhinieren e njohur Luljeta Bozon si kandidate e PS-së në zgjedhjet e 25 prillit.

Gjatë aktivitetit, “Rruga drejt 25 Prillit – RINDËRTIMI NUK NDALET”, Rama tha se, “dua të falenderoj shumë dhe dua ta ndaj dhe me ato që po na ndjekin që ti u tregove zemërgjerë dhe pasi u mendove nuk the jo për të qenë pjesë e skuadrës tonë, e skuadrës sonë të 25 prillit”.

“Me nderin më të madh timin dhe forcës tonë politike ne do kemi një përfaqësues të një shtrese të gjerë shoqërore, që janë gjyshërit dhe gjyshet, dhe sigurisht një përfaqësues të denjë dhe kaq vital që ka akoma shumë për të dhënë dhe nga maja e eksperiencës së vet dhe nga maja e integritetit të vet të padiskutueshëm, por edhe jo vetëm eksperiencës si inxhiniere, por dhe si nënë, gjyshe, por edhe si stërgjyshe, do jesh një ndihmë e madhe për të na shkulur veshin, me kujdes të mos na e këpusësh, por që ne mund të jemi gjithmonë të fokusuar”, u shpreh Rama.

Kreu i Ekzekutivit theksoi se, “Luljeta është simboli i gjithë asaj përpjekje solidare të shqiptarëve që u bën bashkë si asnjëherë më parë në ato momente të tmerrshme”.

“Për herë të parë në gjithë këtë histori të gjatë pensionistët do të kenë njeriun e tyre aty, dhe kur kam thënë “Deputeti që duam” njerëz të rinj, ide të reja, forca të reja, po jo thjesht mosha të reja, kam patur parasysh mundësinë që të kemi të gjitha moshat dhe grupet. Nuk kam menduar që do e bindnim Luljetën, po nuk na e ka bërë plotësisht të vështirë. Realisht jam shumë mirënjohës dhe jam i qetë e i lehtësuar dhe të shkoj përpara njerëzve me dy simbole të këtyre dy goditjeve të mëdha, Najadën nga njëra ana dhe ty nga ana tjetër, dy gra të jashtëzakonshme”, u shpreh Rama.