Mali i Zi, partitë pro-serbe, fituese në zgjedhjet vendore të Nikshiqit

Rezultatet paraprake të zgjedhjeve vendore të së dielës në Nikshiq, të Malit të Zi tregojnë se kanë dalë fituese partitë e konsideruara proserbe dhe që janë nën ndikimin e Kishës Ortodokse Serbe.

Partia Demokratike Socialiste e presidentit Milo Gjukanoviq fitoi 18 vende në Kuvendin Komunal, më shumë se secila nga partitë e tjera, por nuk e siguron dot shumicën, pasi ky numër është më i vogël se ai i partive të koalicionit.

Koalicioni “ Për të ardhmen e Nikshiqit” mori 11 vende, “Paqja është kombi ynë” 10 vende, “URA” e Dritan Abazoviqit dhe Lëvizja Popullore morën nga 1 vend.

Sipas këtij rezultati Partia Demokratike Socialiste pas 20 vitesh qeverisje në këtë komunë e humb pushtetin nga forcat proserbe, të cilët në qershorin e vitit të kaluar fituan zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi.

Në zgjedhjet e së dielës në Nikshiq garuan 4 koalicione dhe 2 parti politike. Zgjedhjet ishin të rëndësishme si për partitë që qeverisin në Mal të Zi, ashtu edhe për opozitën dhe u konsideruan thelbësore për mbijetesën në skenën politike të Partisë Demokratike të Socialistëve të presidentit Milo Gjukanoviq, por edhe një sprovë serioze për shumicën qeverisëse që largoi Partinë Demokratike Socialiste pas më shumë se 30 vjet nga pushteti në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020.

Fushata zgjedhore për qytetin e dytë më të madh në Mal të Zi, Nikshiqin u mbajt mes tensioneve të shumta midis forcave politike. Situata u tensionua edhe nga fakti se në fushatë kishte ndërhyrje të drejtpërdrejtë të përfaqësueseve politikë nga Beogradi, nga Republika Serbe e Bosnjës e Hercegovinës dhe nga Lista Serbe e Kosovës, të cilët mbështeten forcat politike proserbe dhe proruse në Mal të Zi.