Maqedoni e Veriut, mbërrijnë 24 mijë doza të vaksinës AstraZeneca nëpërmjet sistemit COVAX

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit mbërritën 24 mijë doza vaksinash nga prodhuesi "AstraZeneca" nëpërmjet sistemit COVAX.

Në ngjarjen e organizuar me rastin e mbërritjes së vaksinave u adresua ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, i cili tha se këto janë dozat e para të vaksinave përmes sistemit COVAX, i cili u zhvillua verën e kaluar dhe në të cilin investuan dhe morën pjesë shumë vende, si dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), Aleanca Globale për Imunizimin, në mënyrë që të ketë një shpërndarje të barabartë dhe të drejtë të vaksinave në gjithë botën.

Ai falënderoi të gjitha vendet që e kanë mbështetur këtë sistem, veçanërisht përfaqësuesit e SHBA-së, Gjermanisë, Britanisë, Francës, përfaqësuesit e OBSH-së dhe UNICEF-it, me ndihmën e të cilëve është organizuar i gjithë sistemi për transportin, pritjen dhe përdorimin e këtyre vaksinave.

“Bëhet fjalë për 24 mijë doza të vaksinave nga prodhuesi AstraZeneca. Tani që jemi angazhuar plotësisht që sistemi i imunizimit të implementohet shpejt dhe me efikasitet, kemi njoftime për mbërritjen e vaksinave të tjera gjatë këtij muaji. Pa dyshim, pritjet për sa i përket kohës nuk janë përmbushur dhe e gjitha kjo vjen me disa javë vonesë. Sidoqoftë, duke pasur parasysh që ka një kërkesë të madhe për vaksina në gjithë botën, duke pasur parasysh që të gjitha vendet po përballen me këtë sfidë, është mirë që sistemi ka dëshmuar se funksionon ashtu siç është menduar”, tha Filipçe.

Filipçe tha se të mërkurën, 31 mars, vaksinimi do të fillojë pasi të ketë përfunduar procedura administrative në Agjencinë e Barnave. Të parët që do të vaksinohen do të jenë 20 mijë persona që janë regjistruar tashmë. Këta janë persona mbi 75 vjeç dhe me sëmundje kronike, kurse shpërndarja do të bëhet sipas vendbanimit, që do të thotë se imunizimi do të kryhet në pikat e vaksinimit.

Gjithashtu, ministri Filipçe informoi se 76 mijë doza të tjera të vaksinave pritet të mbërrijnë në prill, përsëri nga prodhuesi AstraZeneca.

Përveç Filipçes, në ngjarje morën pjesë edhe një delegacion i përbërë nga anëtarë të korit diplomatik, përfaqësues të OBSH-së, UNICEF-it dhe zyrës rajonale e OKB-së, të cilët mirëpritën dërgimin e vaksinave kundër COVID-19 përmes sistemit COVAX në Maqedoninë e Veriut.

Vaksinat e para mbërritën në Maqedoninë e Veriut më 14 shkurt. Bëhet fjalë për vaksina nga prodhuesi "Pfizer" që Serbia ia dhuroi Maqedonisë së Veriut. Dërgesa e parë përmbante 4.680 vaksina, kurse dërgesa e dytë mbërriti më 24 shkurt me një sasi prej 3.510 dozash.

Këto vaksina përdoren për të vaksinuar punonjësit e kujdesit shëndetësor.

Më 7 mars, në vend mbërriti vaksina ruse "Sputink V", në sasi prej 3.000 dozash.