Maqedonia e Veriut merr 3000 dozat e para të vaksinës ruse “Sputnik V”

Mbërritën 3000 dozat e para të vaksinës ruse “Sputnik V”. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe ambasadori rus, Sergej Bazdnikin, nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit thanë se në ditët në vazhdim do të dihet kur do të mbërrijë dërgesa e dytë nga gjithsej 200 mijë dozat e porositura nga kjo vaksinë. Procesi i vaksinimit  do të vazhdojë në kuadër të planit aksionar për imunizim. Ndërsa vaksinimi me “Sputnik V” parashikohet të nisë të mërkurën. Të parët do të jenë qytetarët më të moshuar që vuajnë nga sëmundje kronike.

“Të gjithë ata do të informohen përmes mjekëve amë dhe do të thirren në punktin më të afërt për vaksinim. Ndërsa sa u përket shtëpive të shëndetit do të zbatohet atje ku janë vendosur të moshuarit. Kjo vaksinë ruhet në minus 18 gradë Celsius. Do të ruhet tek frigoriferët e sistemuar në punktin në “Janë Snadanski”, pohoi Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.

Ambasadori rus, Sergej Badnikin, tha se vaksina “ Sputnik V”, ndër vaksinat e para të regjistruara kundër COVID-19,  është e sigurtë dhe efikase.



“Dihet se “Sputnik V” është ndër vaksinat e para të regjistruara. Vaksina është e sigurt dhe efikase. 46 shtete është e regjistruar kjo vaksinë. Në OBSH shihet kërkesa që “sputnik V” të hyjë në listën e barnave të aprovuara nga OBSH për përdorim në situate të jashtëzakonshme.. Edhe unë do të vaksinohem, pasi besoj se do të marr një tjetër dërgesë edhe për vaksinim të ambasadorëve, megjithatë kjo dërgesë është për qytetarët e Maqedonisë”, theksoi Sergej Bazdnikin, ambasador i Rusisë në Shkup.

Deri në fund të këtij muaji, pritet të vijnë vaksinat nga prodhuesit e tjerë: Sinofarm të Kinës, AstraZeneka dhe Pfizer. Janë porositur mbi 2 milion vaksina. Por vetëm 120,000 qytetarë kanë aplikuar deri më tani për imunizim.