Matthew Palmer: "Arritja e marrëveshjes Kosovë-Serbi për SHBA-në, çështje urgjente”

Përfaqësuesi Special i Departamentit të Shtetit Amerikan për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, në një intervistë për televizionin serb N1 deklaroi se arritja e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për SHBA-të është një çështje urgjente. Një gjë të tillë Palmer e ka thënë kur është pyetur nëse ka një afat kohor për arritjen e një marrëveshje mes dy shteteve.

“Koha nuk është në anën tonë. Sa më gjatë që presim, do të bëhet edhe më e vështirë dhe gjithë sfidat përpara do të bëhen edhe më të komplikuara”, ka thënë Mattheë Palmer.

Mes të tjerash diplomati amerikan pohoi se SHBA-të përkrahin procesin e dialogut të drejtuar nga Bashkimi Evropian dhe emisari sllovak Mirsolav Lajcak, duke shpresuar që të dy palët do të vazhdojnë negociatat së shpejti.

“Ne qartë ua kemi thënë partnerëve tonë në Beograd dhe Prishtinë. Është obligim i të dy palëve që të implementojnë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe një gjë e tillë duhet të ndodhë”, ka vazhduar Palmer.

Po ashtu, emisari i DASH-it për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, gjithashtu ka folur për deklaratat e Albin Kurtit se dialogu nuk është një prej prioriteteve kryesore.

“I kam dëgjuar prioritetet e z.Kurti që theksojnë transparencë dhe qeverisje të mirë dhe luftë kundër korrupsionit dhe rregullimi i situatës në Kosovë. Këto janë edhe prioritete tona, ne duam që e gjithë kjo të ndodh në Kosovë. Kosova mund të marrë pjesë në dialog në një mënyrë konstruktive duke punuar edhe në reformat e brendshme. Nuk shohë ndonjë kontradiktë në mes të këtyre prioriteteve”, ka thënë ndër të tjera Palmer.

Përveç tjerash emisari amerikan ka theksuar se disa gjëra janë arritur si rezultat i marrëveshjes së Brukselit dhe se dialogut “nuk fillon nga e para”.