Ministri Osmani merr pjesë në takimin ministror të NATO-s në Bruksel: Moment historik për Maqedoninë

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani arriti në selinë e NATO-s në Bruksel ku fillon takimi dy ditësh i Këshillit Veriatlantik të NATO-s në nivel të ministrave të Jashtëm.

Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut njoftoi se ministri Osmani dërgoi mesazhe për rëndësinë dhe pritjet nga Takimi ministror i radhës.

“Një moment historik edhe për mua, edhe për Republikën e Maqedonisë së Veriut, për herë të parë fizikisht në tryezën e një takimi ministror në vigjilje të përvjetorit të parë nga anëtarësimi i plotfuqishëm në Aleancë”, tha Osmani, duke riafirmuar anëtarësimin në NATO si një sukses strategjik për vendin.

“Qëndrojmë në krye të detyrës me anëtarësimin tonë në Aleancë, duke kontribuar drejt stabilitetit të rajonit, duke përhapur vlerat e NATO-s, në mënyrë aktive duke kontribuar për tejkalimin e sfidave bashkëkohore të Aleancës”, theksoi Osmani me rastin e fillimit të Këshillit ministror dy ditësh.

Në njoftimin e MPJ-së thuhet se pjesëmarrja e sotme e Osmanit në takimin ministror të NATO-s, paraqet për herë të parë praninë e një ministri të Jashtëm të Maqedonisë së Veriut në këto takime si anëtare e plotfuqishme e Aleancës.

Kujtojmë se në mars të vitit të kaluar Maqedonia e Veriut u bë anëtarja e 30-të e NATO-s pas përmbylljes së të gjitha proceseve zyrtare.