Nga Tropoja, në Pukë e në Malësi e Madhe/Rama: Investuam si asnjëherë më parë në veri

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se qeveria e drejtuar nga Partia Socialiste ka investuar si asnjëherë më parë në veri, në Tropojë, Pukë, Malësi të Madhe apo edhe Dibër apo edhe Lezhë.

Gjatë një bashkëbisedimi me banorë të Lezhës, Rama u ndal në disa nga projektet që janë në proces, ku përmendi rrugën e Arbrit.

“Më parë ka pasur investime të bëra për të ruajtur balanca në dukje por në fakt që nuk nxisnin zhvillimin përmes burimeve më të pasura në potencë, me investime që nuk kishin një logjikë të hapave pse po investohet sot këtu dhe aty, dhe pse invetimi është I rëndësishëm për atë që do të vijë nesër për të gjithë“, u shpreh Rama.

Kryeministri u shpreh se në fokus të qeverisë ka qenë investimi në vijën bregdetare për ndikimin që ka në rritjen ekonomike, punësimin dhe mirëqenien e të gjithë vendit.

“Është e vërtetë që ne kemi vënë një fokus të posaçëm në vijën bregdetare, është e vërtetë që po ta shohësh pasqyrën e sotme mungon një komponent i rëndësishëm i këtij fokusi. Po të shikoni balancën, ne kemi investuar si asnjëherë më parë në Tropojë, në Malësinë e Madhe, në Pukë, në Dibër, duke bërë realitet Rrugën e Arbrit. Patjetër që kemi investuar jo pak në të gjithë zonën e Lezhës. Është e vërtetë që kemi një lloj borxh të pashlyer me të gjithë zonën, por një borxh që do ta shlyejmë”, tha Rama.

Kjo, tha Rama, edhe për faktin se bregdeti i Jonit ka qen në një prapambetje të madhe.

Nga ana tjetër për sa i përket kësaj zone, Rama tha se element kyç që lidhet me strategjinë e vijës bregdetare është aksi Balldren-Milot-Fier duke kaluar përmes Thumanës dhe Rrogozhinës.

Kryeministri u shpreh se është edhe aksi Milot-Muriqan, pjesë e përpjekjes, theksoi ai, që kemi bërë investime kolosale.

Për këtë kryeministri informoi se shumë shpejt do të rihapet gara për përzgjedhjen e kompanisë që do të kryejë punimet.

“Ne nuk e kemi finalizuar akoma me një kontratë të fillimit të punimeve, pasi gara e hapur për realizimin e kësaj kontrate, e cila u përfol që ishte garë e paracaktuar, pasi kompania që u përfol se e kishte mbyllur pazarin me qeverinë nuk plotësoi ato pika që sipas nesh ishin të panegociueshme. Gara do të rihapet shumë shpejt dhe ai investim do të bëhet”, u shpreh Rama.