Nis vaksinimi antiCOVID i mësuesve dhe pedagogëve në Tiranë/ Rama: Nga e hëna procesi shtrihet në të gjithë Shqipërinë

Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm në shkollën “4 Dëshmorët” në Tiranë, ku po zhvillohet vaksinimi i mësuesve me vaksinën AstraZeneca.

Në një prononcim për mediet, Rama informoi se nga dita e hënë do të nisë vaksinimi i mësuesve në të gjithë Shqipërinë.

“Siç e dini ne kemi marrë dje 38 400 doza AstraZeneca dhe menjëherë kemi nisur vaksinimin e mësuesve, sikundër e kemi thënë dhe sikundër është plani i veprimit. Do të shtrihet ditën e hënë në të gjithë Shqipërinë sipas njësive administrative me shkollat që do të shërbejnë si qendra vaksinimi. Këtu te njësia 8 janë 6 kolektivë mësuesish në 6 shkolla që kanë oraret dhe vijnë dhe bëjnë vaksinën”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “ky është një hap i madh përpara dhe unë kam shumë shpresë se në ditët në vijim do të kemi një tjetër lajm shumë të mirë për një sasi të madhe që do të na lejojë pastaj të hyjmë në vaksino, vaksino, vaksino, në të gjithë territorin për të arritur pastaj objektivin që sezonin turistik ta kemi, jo të çliruar plotësisht, por ta kemi të lehtësuar shumë dhe të kemi një sezon më të lehtë se sa ai i vitit të shkuar”.

Rama tha po ashtu se “do të vaksinojmë pensionistët masivisht”.

I pyetur mbi pezullimin e vaksinës AstraZeneca nga disa vende, Rama tha se “vaksina AstraZenca është pezulluar në disa vende, është e vërtetë, siç është e vërtetë që ju të gjithë jeni në detyrimin e madh profesional dhe njerëzor që të mos bëheni përçues të të pavërtetave, të lajmeve të pakonfirmuara që krijojnë panik”.

“Të tilla ka shumë në rrjete sociale, por nuk mund të ketë në ekrane ku një staf i tërë gazetarësh punon. Dhe është e pamundur teorikisht që nëse do të kishte një të vërtetë shqetësuese lidhur me vaksinat AstraZeneca të lejonte bota që të vazhdonte lëvrimi i sasive”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “sasia që kemi marrë dje është një sasi e ardhur nga Suedia”. “E parafytyroni dot ju që Suedia të lejojë që të nisen pako me vaksina nëse ka problem. Sot kam parë deklaratën e drejtorit të Institutit të Shëndetit Publik italian që thotë shumë qartë se nuk ka asnjë bazë, asnjë të dhënë që të lidhi disa ngjarje shëndetësore që kanë ndodhur te disa persona me ndonjë problem të vaksinës”.

Por, tha Rama, bëhet fjalë për një seri të veçantë. “Ne kemi një seri tjetër këtu nga ajo që është pezulluar për të bërë pikërisht verifikimin. Ndërkohë në Britaninë e Madhe janë miliona njerëz që janë vaksinuar dhe vazhdojnë të vaksinohen me AstraZeneca. Është vaksina e Oksfordit dhe nuk ka shance që të jetë një injeksion që të shkaktojë situata dramatike për shëndetin, por verifikimet që po bëhen lidhen me të kuptuarit e pse-së. Nuk ka asnjë problem për sa kohë kjo është një vaksinë që vazhdon qarkullon dhe që është fare jashtë imagjinatës që Suedia të lejojë lëvrimin e sasive që vijnë në Shqipëri, nëse do të kishte probleme”, tha ai.

Rama tha se “ka shumë lajme të rreme, ka shumë luftë tregtare, por informohuni sa më shumë për të marrë nga burime zyrtare se çfarë thonë”. “Vetëm burimet zyrtare mund të japin garanci dhe siguri. Merruni me burimet zyrtare në Itali, Britaninë e Madhe, Danimarkë e kudo qoftë që të kuptoni dhe të kuptojnë të gjithë atë që ndodh. Ne merremi me këtë punë intensivisht, por ta kuptojnë të gjithë njerëzit se nuk ka absolutisht asnjë shqetësim”, tha Rama.

Lidhur me procesin e vaksinimit, ai tha se “në të gjithë territorin e Shqipërisë do të fillojë vaksinimi ditën e hënë duke u shtrirë këto 24 orë gjithë rrjeti që është gati, sepse ne kemi qenë gati për këtë hap tjetër në planin e vaksinimit.

“Në të gjitha njësitë e vendit do të ketë nga një shkollë që do të shërbejë për kolektivat e shkollave të asaj njësie. Vaksina AstraZeneca ka një afat të ndryshëm nga Pfizer për dozën e dytë është 8 deri në 12 javë. Me këto doza ne do të vaksionojmë të gjithë dhe pastaj do të vijë doza e dytë në afat. Kështu që do të kemi intensitet shumë të madh dhe do ta realizojmë atë që kemi synuar dhe që kur e kemi thënë ka qenë në njëfarë mënyre një lloj çmendurie se gjasat dukeshin të vështira. Por ju e dini që, siç thoshte gjyshja ime, ‘lypja ka faqen e zezë, por nuk të lë pa gjë’. Dhe unë jam shumë i lumtur ta bëj faqen sterrë fare për të lypur për ju dhe gjithë shqiptarët”, tha Rama./ata