Nis vaksinimi masiv në Shqipëri/Kryeministri Rama: Mbi gjysmë milioni shqiptarë të vaksinuar brenda majit,

Të dielën, më 28 mars, ka nisur vaksinimi masiv kundër sëmundjes së COVID-19, fillimisht në kryeqytet, Tiranë, ndërsa më pas do të vazhdohet në qytete tjera.

Në sheshin “Skënderbej” të Tiranës, janë ngritur disa çadra që pritet që të shërbejnë si vende vaksinimi.

Gjatë së dielës do të vaksinohen të moshuarit mbi 70 vjeç, të cilët do të marrin dozën e vaksinës kineze të Sinovac. Ata janë njoftuar nga mjeku i familjes në bazë të rendit alfabetik.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili doli të ndiqte nga afër nisjen e procesit të vaksinimit, tha se është optimist që brenda muajit maj, gjysmë milionë qytetarë të Shqipërisë do të jenë të vaksinuar kundër koronavirusit.

“Do të kthehemi përsëri në jetën tonë të dëshiruar”, tha Rama.

Sipas kreut të qeverisë, Shqipëria ka siguruar doza të mjaftueshme të vaksinës kundër koronavirusit, çka do të bëjë të mundur imunizimin e popullatës përpara afatit të parashikuar prej 14 muajsh.

Rama tha se këtë vit pritet që sezoni turistik në Shqipëri do të jetë më i lehtësuar dhe pa kufizime për shkak të vaksinimit, që sipas tij, do të shkëpusë zinxhirin e infektimeve

“Besoj që ky sezon turistik do të jetë shumë i lehtësuar. Mbetemi të bindur që deri në pranverën e ardhshme do jetë vaksinuar e gjithë popullata, por kam bindjen se para pranverës së ardhshme do ta mbyllim procesin”, tha kryeministri Rama.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu një ditë më parë bëri të ditur që synohet që Shqipëria të arrijë të vaksinojë mbi 10.000 persona në ditë.Vaksinimi do të vijojë sipas planit kombëtar të vaksinimit, duke filluar me grupmoshën mbi 85 vjeç dhe mbi 80 vjeç, duke vijuar më pas me grupmoshën mbi 75 vjeç dhe mbi 70 vjeç, të cilat do të kryhen në qendrat e vaksinimit.

Qeveria e Shqipërisë ka siguruar 1 milion doza vaksinash kineze Sinovac kundër sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi, pas negociatave me një kompani turke të autorizuar për distribuimin e këtyre vaksinave.

Nga kontrata e nënshkruar të enjten, më 25 mars në Stamboll mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe kompanisë turke “Keymen Ilaç Sanayive Ticaret”, parashikohet që fillimisht të blihen 500.000 doza, të cilat pritet të dërgohen në Shqipëri gjatë dy muajve të ardhshëm.

Shqipëria ka filluar procesin e vaksinimit në fillim të muajit janar. Deri tani, në këtë vend janë vaksinuar 64.075 persona, ku përfshihen të moshuarit, arsimtarët dhe personeli mjekësor.

Ky shtet ka kontratë edhe me kompaninë amerikane Pfizer, për sigurimin e mbi 500.000 dozave të vaksinës. Aktualisht, Tirana zyrtare po ashtu ka siguruar afër 40.000 doza të vaksinës së kompanisë britanike, AstraZeneca.

Prej paraqitjes së rastit të parë me COVID-19 në Shqipëri në muajin mars të vitit 2020, rreth 123.000 persona janë infektuar me koronavirusin e ri.

Prej tyre 2.204 pacientë kanë vdekur.