Pekini dhe Brukseli në konvergjencë, po Tirana?

Dr. Marsela Musabelliu

Solidaritet do të thotë forcë, dhe këmbëngulje do të thotë fitore. Tashmë ka dritë në fund të tunelit – me këto fjalë e hapi konferencën për shtyp ditën e Dielë, 7 Mars, kryediplomati kinez Wang Yi.  Kina do të vazhdojë të bashkëpunojë me vendet e tjera në solidaritet dhe të punojë pa u lodhur për fitoren përfundimtare të njerëzimit kundër kësaj pandemie, tha z. Wang.  Asnjë temë “e nxehtë” nuk u la pa adresuar: reflektime mbi administratën Biden, Hong Kong, Taivan, Xingjiang, e ashtuquajtura ‘diplomacia e vaksinave’, diferencat ideologjike e shumë të tjera. N.q.s duam të shohim si i sheh Kina marrëdhëniet me jashtë gjatë 2021, kjo konferencë ishte pikënisje shumë e mirë.

Evropa dhe nisma “Një Brez, Një Rrugë”

Bashkëpunimi i intensifikuar midis Kinës dhe  Bashkimit Evropian (BE) gjatë vitit 2020 ka dal në pah në nivelet më të larta. Përballë krizave dhe sfidave, marrëdhëniet Kinë-Evropë kanë demonstruar qëndrueshmëri dhe gjallëri, duke i dërguar një mesazh pozitiv botës. Presidenti Xi Jinping pati tre takime video me udhëheqësit evropianë dhe mbajti komunikim të ngushtë në nivelin e lartë. Të dy palët rritën besimin e ndërsjellë ndërsa luftuan së bashku COVID-19 dhe përmirësuan bashkëpunimin ndërsa shënuan 45 vjetorin e lidhjeve diplomatike. Të dy palët nënshkruan marrëveshjen mbi treguesit gjeografikë, përfunduan negociatat e marrëveshjes së investimeve sipas planit dhe për herë të parë, Kina u bë partneri më i madh tregtar i BE.  Kryediplomati kinez nënvizoi se Kina dhe Evropa janë dy civilizime të mëdha të afta për dialog dhe shkëmbime, dhe ato nuk janë rivalë sistemikë; dhe kur përqafojnë bashkëpunimin me një frymë të pavarur, Kina dhe Evropa mund të arrijnë gjëra të mëdha.  Sipas këndvështrimit tonë, Kina dhe Evropa janë dy lojtarë të rëndësishëm në këtë botë multipolare – tha Wang Yi. Kina mirëpret një BE që gëzon një autonomi të forcuar strategjike, mbështet multilateralizmin dhe angazhohet për koordinim dhe bashkëpunim midis vendeve të mëdha. Më tej shprehet e gatshme të punojë me BE për të trajtuar bashkërisht sfidat globale, për të rritur përpjekjet ndërkombëtare për reagimin pandemik, rimëkëmbjen ekonomike dhe ndryshimin e klimës dhe për të shtuar më shumë stabilitet në marrëdhëniet ndërkombëtare

Një tjetër element bashkues midis Kinës dhe BE-së, është edhe nisma “Një Brez, Një Rrugë” (BRI) e cila nuk ka ndaluar gjatë pandemisë, por ka përparuar me rezultate të reja, qëndrueshmëri të fortë dhe gjallëri të madhe. U mbajtën një numër takimesh, përfshirë Konferencën Video të Nivelit të Lartë për Bashkëpunimin Ndërkombëtar “Një Brez, Një Rrugë”, si dhe mbi 30 ngjarje sektoriale, duke galvanizuar mbështetje më të madhe për bashkëpunimin me cilësi të lartë. Në vitin 2020, linja hekurudhore Ekspres Kinë-Evropë vendosi një rekord të ri si në shkëmbimet e mallrave ashtu edhe në vëllimin e ngarkesave; vëllimi i mallrave të transportuar përmes Korridorit të Ri Ndërkombëtar të Tregtisë Tokë-Det u dyfishua nga viti i kaluar. Të gjitha këto kontribuuan në stabilitetin dhe funksionimin e duhur të zinxhirëve ndërkombëtarë të industrisë dhe furnizimit.

Pandemia mund të ketë ulur fluksin e njerëzve deri diku, por nuk i ka ndaluar partnerët e BRI të mbështesin dhe investojnë në këtë përpjekje të përbashkët. Z. Wang shtoi se bashkë me vendet partnere të nismës “Një Brez, Një Rrugë” po ndërtohet një ‘Rrugë e Mëndafshit Shëndetësor’ dhe bashkëpunimi anti-pandemik ka shndërruar BRI në një koridor për furnizime që shpëtojnë jetë. Më tej është rruga e Mëndafshit Dixhitale,  një koridor i rrjedhës së informacionit që do t'i mbajë partnerët e BRI të lidhur dixhitalisht. Po ashtu, ‘Rruga e Gjelbër të Mëndafshit’, nën të cilën janë intensifikuar bashkëpunimi për energjinë e gjelbër, infrastrukturën e gjelbër dhe financat e gjelbra.  Me pak fjalë, asgjë nuk është ndalur gjatë këtyre muajve të vështirë në marrëdheniet Kinë-BE, përkundrazi përpjekjet e përbashkëta janë metamorfozuar në shërbim të kushteve të kohës në të cilën jetojmë, duke e bërë bashkëpunimin e intensifikuar një motor të fuqishëm rigjenerimi për kalimin e shumëpritur në botën post-pandemike.

Ku qëndron Shqipëria në këtë kontekst?

Kina do të vazhdojë të mbështesë integrimin evropian dhe të mbështesë një BE të bashkuar dhe të fortë duke luajtur një rol më të madh në çështjet ndërkombëtare – këto fjalë të z. Wang Yi mund të jehojnë shumë mirë te shqiptarët duke patur parasysh aspiratat e kombit për të qënë pjesë e BE.  Integrimi i mëtejshëm i tregjeve të BE dhe Kinës, plus thellimi i marrëveshjeve nën nismën “Një Brez, Një Rrugë” janë padyshim çështje që prekin tërthor edhe Shqipërinë.

Duke qënë se vetë Brukseli po afrohet përherë e më shumë me Kinën,  duket qartë se Tirana nuk po ecën me të njëjtat ritme. Ndërkohë që vendet anëtare të “Një Brez, Një Rrugë” po avancojnë me projekte të gjithanshme nga infrastruktura në energji, nga shëndetësia në dixhitalizim, çdo fushë që mund të sjelli përfitime të ndërsjellta është në tavolinën e bisedimeve. Në këtë aspekt BE është shumë proaktive kur vjen fjala për thithjen e investimeve kineze në tërritorin e saj, por kur vjen fjala për vendet që kanë nevojë më shumë për investime (si p.sh. vendet e Ballkanit Perëndimor) atëherë zëra kundërshtues vijnë po nga Brukseli me justifikime të tipit “përça e sundo”. Kur një kompani kineze investon në Paris, Romë apo Berlin, është mëse e mirëpritur, por kur të njëjtat duan të vijnë në Tiranë, Shkup ose Sofje, atëherë ngrihet banderola e “rrezikut kinez” në vendet me demokraci të pakonsoliduar. Standarti i dyfishtë është mëse i dukshëm, por, jo të gjithë ballkanasit e kanë pranuar njëlloj influencën e BE-së, që nga ndihmat mjekësore gjatë 2020 deri tek rasti i kohëve të fundit, shpërndarja e vaksinave, shumë prej tyre kanë zgjedhur interesat e tyre si parësore. Dhe në këtë rast, anashkalimi i dogmatizmit politik në funksion të pragmatizmit, është çështje me pasojë jetë njerëzish.

Nga tregtia tek investimet, nga shkëmbimet dypalëshe tek turizmi, ka shumë potencial të pashfrytëzuar në raportet midis Tiranës dhe Pekinit. Shqipëria dhe Kina kanë një marrëdhënie të gjatë dhe tradicionale midis tyre, dhe është e vështirë të kuptohet përse këto marrëdhënie nuk po intensifikohen në kuadër të nismave kineze në rajon dhe në kontinent. Distanca e Tiranës që hera herës bëhet edhe refraktare ndaj Kinës, është sa joproduktive aq edhe anakronike.

Kina është identifikuar shpesh në botën e infrastruktures me trenat supermodernë të shpejtësisë së lartë, por edhe politika e jashtme kineze në objektivat e saj në Evropë, në nismën “Një Brez, Një Rrugë”, platformën “17+1” e kështu me radhë, mund të ketë hekurudhën e shpejtësisë së lartë si një metaforë gati-gati analogjike. Nëpërmjet nismave të sipërpërmendura, Kina ka vendosur të krijojë një stacion në Shqipëri për këtë tren të shpejtesisë së lartë, është në dorë të Tiranës tashmë të vendosë a do të hipë në këtë “tren diplomatik” apo jo.

/argumentum.al