Përpjekja për grusht shteti/ Kryeministri armen deklaron të shkarkuar shefin e ushtrisë

Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan, ka emëruar një zëvendësues për shefin e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë së vendit, për të cilin më herët ai deklaroi se zyrtarisht do të shkarkohet, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zyra e kryeministrit armen njoftoi se dekreti i 25 shkurtit për shkarkimin e shefit të shtabit të përgjithshëm të ushtrisë, Onik Gasparyan, hyri në fuqi sot sepse presidenti Armen Sargsyan nuk e kishte nënshkruar dhe as nuk e kishte ankimuar në kohë dekretin në Gjykatën Kushtetuese.

"Onik Gasparyan ligjërisht është i shkarkuar nga posti i tij nga 10 marsi", tha zyra e kryeministrit armen.

Gasparyan, së bashku me komandantë të tjerë të lartë, më 25 shkurt lëshuan një deklaratë ku kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Pashinyan.

Sot, zëdhënësja e kryeministrit armen, Mane Gevorkyan, njoftoi se kryeministri propozoi që ish-shefi i shtabit të përgjithshëm, Artak Davtyan, të kthehet në këtë post dhe shtoi se propozimi zyrtar iu përcoll presidentit.

Zyra e presidentit njoftoi se Sargystan sot i bëri thirrje Gjykatës Kushtetuese të shqyrtojë ligjshmërinë e shkarkimit të Gasparyan-it.

Në mediat sociale Gasparyan akuzoi kryeministrin Pashinyan për shkelje të kushtetutës me shkarkimin e tij dhe tha se ai do të vazhdojë t'i shërbejë vendit dhe kombit.

Përpjekja për grusht shtet dhe trazirat në Armeni

Pashinyan ka kritikuar thirrjen e ushtrisë për dorëheqjen e tij si një përpjekje për grusht shtet dhe ka kërkuar nga mbështetësit e tij të dalin në rrugë për të rezistuar.

Më vonë, ai në rrjetet sociale njoftoi shkarkimin e Gasparyan-it.

Trazirat pasojnë përfundimin e konfliktit ushtarak midis Armenisë dhe Azerbajxhanit vjeshtën e kaluar, që gjerësisht u pa si një fitore për Azerbajxhanin.

Marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991 kur ushtria armene pushtoi Malësinë e Karabakut, një territor i njohur si pjesë e Azerbajxhanit.

Gjatë konfliktit 6-javor, që përfundoi me një armëpushim të ndërmjetësuar nga Rusia, Azerbajxhani nga pushtimi armen çliroi disa qytete strategjike dhe pothuajse 300 vendbanime dhe fshatra.

Para kësaj, rreth 20 për qind e territorit të Azerbajxhanit ishte nën pushtimin e paligjshëm të Armenisë për gati tre dekada.