Përvjetori i marrëveshjes Turqi-BE për refugjatët sirianë

Ky muaj shënon pesë vjetorin e marrëveshjes së Turqisë me Bashkimin Evropian që zgjeroi një eksod masiv të refugjatëve dhe migrantëve në Evropë në këmbim të ndihmës. Por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Dorian Jones nga Ankaraja, e ardhmja e marrëveshjes është vënë në pikëpyetje ndërsa Ankaraja po bën thirrje për rishikimin e saj.

Sipas marrëveshjes pesë-vjeçare, rojet bregdetare turke shërbyen për të mbrojtur portat e Evropës, në këmbim të miliarda eurove për të ndihmuar në pranimin e refugjatëve sirianë. Marrëveshja është gjithashtu një nga avantazhet e pakta që i mbeten Turqisë në shkëmbimet e saj me Evropën.

"Marrëveshja për refugjatët është rruga e vetme ku ne shohim një moment real dhe pozitiv në marrëdhëniet Turqi-BE dhe për këtë arsye ajo mbetet një komponent kritik i kësaj marrëdhënieje sot", thotë Sinan Ulgen me Qendrën për Studime Ekonomike dhe Politikën e Jashtme.

Por marrëveshja është nën tension, me refugjatët e kapur në mes të debateve. Ankaraja po akuzon Athinën për kthimin e paligjshëm të refugjatëve në Turqi, një akuzë që Greqia e mohon.

Vitin e kaluar, Turqia hapi përkohësisht kufirin e saj grek për migrantët pasi akuzoi BE-në për shkelje të marrëveshjes. Tani Ankaraja dëshiron që marrëveshja të rishikohet.

"Turqia nuk ka qënë e kënaqur me marrëveshjen që nga fillimi sepse Bashkimi Evropian nuk i ka përmbushur premtimet që priste Turqia", thotë Huseyin Bagci, drejtor në Institutin për Politikën e Jashme të Turqisë.

Ankaraja po bën presion për të patur një kontroll më të madh mbi fondet e BE-së për të mbuluar kostot e arsimimit dhe kujdesit shëndetësor për refugjatët sirianë.

Ankaraja gjithashtu thotë se premtimi për udhëtime pa viza për qytetarët e saj në BE nuk është përmbushur.

Por marrëveshja e refugjatëve po i siguron Ankarasë një mbrojtje të rëndësishme diplomatike.

"Çështjet e të drejtave të njeriut, apo çështje të tjera të lidhura me ekonominë, mund të sillnin probleme për Turqinë për shembull në formën e sanksioneve. Por ato janë marrë si të thuash peng, për shkak të çështjes së refugjatëve. Kështu që, vendeve evropiane u mungon në një fare mase çdo lloj presioni apo çfarëdo lloj avantazhi që mund të kishin mbi Ankaranë”, thotë Sezin Oney, me portalin Duvar News.

Kritikët e akuzojnë BE-në se ka dështuar të mbajë një qëndrim të ashpër ndaj Ankarasë lidhur me përkeqësimin e të drejtave të njeriut.

Ka pak pritshmëri që thirrjet e disa vendeve anëtare të BE-së për sanksione të ashpra ndaj Turqisë do të merren parasysh në samitin e BE-së këtë muaj.

Por me sondazhet e fundit të opinionit që tregojnë rritjen e pakënaqësisë publike në Turqi ndaj refugjatëve sirianë, qeveria turke mund të paguajë një çmim të rëndë politik për marrëveshjen e refugjatëve.

“Për sa kohë mund ta përballojë Turqia e vetme këtë problem? Partitë politike në zgjedhjet e ardhshme, patjetër do të përdorin temën e migrantëve sirianë, ose refugjatëve në përgjithësi si një çështje të madhe të politikës së brendshme", thotë Huseyin Bagci.

Tre milionë apo më shumë refugjatë sirianë që janë në Turqi - të cilët kanë pak perspektivë për t'u kthyer në vendin e tyre - duket se janë të destinuar të vazhdojnë të qëndrojnë peng në llogaritë e ndërlikuara politike të rajonit./voa