Presidenti Meta përplaset me Policinë, në zyrat e FRD: Dilni përjashta ose do ju çoj në burg me duart e mia

Policia e Bashkisë së Tiranës pa asnjë paralajmërim  kanë shkuar në zyrat e partisë opozitare Fryma e Re Demokratike dhe kanë kërkuar largimin e zyrtarëve të saj nga godina.

Presidenti i Republikës është përplasur me policinë e cila me një vendim bashkie ka shkuar të lirojë zyrat e selisë së partisë Fryma e Re Demokratike. “Pse dhunoni partinë e opozitës? Dilni përjashta ose do ju çoj në burg me duart e mia”, kanë qenë fjalët e Presidentit.

Presidenti Meta u shpreh për mediat se akti i policisë është politik dhe i pajustifikueshëm: “E konsideroj si një përpjekje për të realizuar një grusht shteti. T’i sjellësh një partie zyrtare opozitare menjëherë pasi nënshkruan një marrëveshje me PD për të marrë pjesë në zgjedhje,  një shkresë të tillë as vulë dhe as emër tituallari, as numër protokolli të bërë vetëm për të dhunuar fizikisht çdo forcë opozitare që synon të konkurrojë në zgjedhje. Kjo është Bashki-bandë. Është tepër irrituese. Është paralajmërim për qytetarët për përpjekjet mafioze për të vënë dorë në procesin zgjedhor. I bëj thirrje opozitës të zgjohet dhe të mos lejojë më prekje të rregullave të garës se do të jetë vonë. Jam pas telefonatës së Shehut”.