Putin i përgjigjet deklaratave të Biden: "Ato çka thua për të tjerët është ajo që je ti vetë". Ftoj Presidentin e SHBA-së në debat publik online

Presidenti i Rusisë Vladimir Putin tha të enjten se ishte gati të zhvillonte bisedime publike në internet me Presidentin amerikan Joe Biden të premten ose të hënën.

Duke folur në televizionin shtetëror zoti Putin, tha se ai ishte i gatshëm të diskutonte rreth marrëdhënieve bilaterale me Shtetet e Bashkuara si dhe çështje të tjera të tilla si konfliktet rajonale.

Presidenti rus tha se do të urdhërojë ministrinë e tij të jashtme të përgatisë bisedimet. Deklaratat e zotit Putin vijnë një ditë pasi Presidenti Biden tha se ai mendonte se udhëheqësi rus ishte një vrasës, komente që vijnë mes marrëdhënish jo të mira mes Moskës dhe Uashingtonit që kanë shënuar një nivel të ri të ulët që pas Luftës së Ftohtë.

Gazetari: Ju tashmë keni reaguar ndaj një deklarate krejt specifike nga Presidenti i SHBA-ve, J. Biden. Do të doja të pyesja diçka më konkrete. Pas formulimeve të tilla në adresën Tuaj nga J. Biden, a jeni gati të vazhdoni të punoni me të?
Vladimir Putin: Unë tashmë kam thënë që ne japim vlerësime të ndryshme dhe e shpjegova pse. Sepse kur analizojmë dikë (apo mendojmë se analizojmë), kemi përshtypjen se e shohim objektin e analizës sonë përmes një lupe. Ose të paktën përmes një xhami transparent. Në fakt, në shohim njëri-tjetrin në pasqyrë. Në mënyrë që të mos replikojmë vazhdimisht ndaj njëri-tjetrit, duhet të vazhdojmë të zhvillojmë marrëdhëniet. Për më tepër, sapo më erdhi në mendje një gjë.
Herën e fundit iniciativa e bisedës telefonike erdhi nga Presidenti J. Biden. Unë do të doja të ftoja Presidentin J. Biden të vazhdojmë diskutimet tona, por me kusht që ta bëjmë këtë faktikisht në mënyrë të drejtpërdrejtë, online, pa vonesa, në një diskutim të hapur të drejtpërdrejtë. Më duket se kjo do të ishte interesante si për popullin e Rusisë, ashtu edhe për popullin e Shteteve të Bashkuara, por edhe për shumë vende të tjera, gjithashtu. Kam parasysh se ne, si fuqitë më të mëdha bërthamore, mbajmë përgjegjësinë e veçantë për sigurinë strategjike në planet. Ne mund të flisnim për marrëdhëniet dypalëshe, stabilitetin strategjik dhe zgjidhjen e konflikteve rajonale, ka plot tema - unë nuk po i rendis të gjitha. Por, edhe për problemet e tjera, me të cilat përballet njerëzimi sot. Kam parasysh, ndër të tjera, edhe luftën kundër pandemisë. Siç dihet, situata në Shtetet e Bashkuara nuk është e lehtë; ata janë ende larg zgjidhjes së këtyre çështjeve. Ne po ecim përpara me hapa më të sigurt. Kemi mjaft tema për të diskutuar e për të ndarë. Megjithatë, do ta përsëris: me kusht që të jetë një bisedë e sinqertë dhe e drejtpërdrejtë online.
Gazetari: Në kohën kur thotë pala amerikane?
Vladimir Putin: Unë nuk do ta shtyja për ditën e moskurrit . Në fundjavë, dua të shkoj në Taiga për të pushuar pak. Kështu, mund ta lëmë nesër, ose të hënën. Ju lutem, ne jemi gati në çdo kohë të përshtatshme për palën amerikane. Menjëherë, pas bisedës sonë, unë do t'i jap udhëzimet përkatëse Ministrisë së Jashtme.

/argumentum.al

© Argumentum