Qeveria shqiptare u hap rrugën vaksinave ruse dhe kineze/ Kush do të mbajë përgjegjësi për jetët të cilat mund të ishin shpëtuar nëse do ti pranonim më herët këto vaksina?

Editorial

Qeveria shqiptare ka njoftuar zyrtarisht se ka hapur rrugën për negociata në lidhje me sigurimin e vaksinave ruse dhe kineze. Sipas aktit normativ të njoftuar të Enjten, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe Ministri i Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj janë zyrtarët e autorizuar për negociatat.

Akti normativ thotë se negociatat zhvillohen për vaksinat të cilat janë çertifikuar nga organi çertifikues në vendin e prodhimit të tyre.

Në përputhje me nenin 101 të Kushtetutës së Shqipërisë, me propozimin e Ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave vendosi si më poshtë:

"Dhënia e autorizimit Ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministrit të Shtetit për Rindërtim për të kryer negociata me prodhuesit, shpërndarësit e autorizuar, qeveritë ose institucionet e autorizuara prej tyre të vendeve që prodhojnë ose shpërndajnë vaksina antividale, për të siguruar këto vaksina, të cilat janë të vërtetuara nga organi çertifikues në vendin e prodhimit të tyre. "

Duhet theksuar se ky vendim vjen në një kohë kur pandemia është jashtë kontrollit në Shqipëri dhe veçanërisht pasi Kryeministri Edi Rama ka dështuar në përpjekjet e tij për të marrë vaksina nga furnizuesit perëndimorë. Ka pasur gjithashtu një presion në rritje nga ekspertët mjekësorë për të marrë vaksina ruse dhe kineze përballë mungesave totale të furnizimeve të tjera. Në ndërkohë Shqipëria do të mbajë zgjedhje të përgjithshme në 25 Prill dhe përkeqësimi i mëtejshëm i pandemisë do t'i kushtonte shumë përpjekjes së Ramës për të marrë një mandat të tretë.

Pak muaj më parë në një postim në profilin zyrtar në Facebook, ambasada ruse në Tiranë  kishte shprehur gatishmërinë e saj për të ofruar ndërlidhje dhe furnizim me vaksinën "Sputnik V" pas komenteve që vetë qeveria dhe një këshilltar i saj kishte shprehur për “vështirësi në qasjen e vaksinave”.

Kryeministri Edi Rama e ka quajtur ofertën e ambasadës ruse për vaksinën anti-COVID "Sputnik V" si një provokim qesharak dhe theksoi se fillimisht kishte menduar se reagimi ishte një meme.

Një sjellje e tillë është quajtur dhe si “kundërvajtje diplomatike” nga diplomati  njohur Dr.Jorgji KOTE në rubriken” Realpolitik” për Argumentum.al  duke i kujtuar  “ABC”-në e komunikimit diplomatik  që dhanë me bisedën telefonike më 6 Janar Putin dhe Merkel; kjo e fundit me etikën  karakteristike pranoi në parim ofertën ruse dhe bashkëpunimin dypalësh për prodhimin / shpërndarjen e vaksinës.

Megjithse është pozitive një kthese e tillë e z.Rama, mund të themi që është vonë krahasuar me rajonin, ku vaksinat Sputnik V dhe Sinopharm apo dhe vaksina të tjera janë prezent prej kohësh tek fqinjet tane,( Serbia, RMV,Mali i Zi, Bosnja-Hercegovina). Muaji shkurti dhe java e parë e marsit u mbyll me bilanc tragjik me qindra viktima, duke filluar nga mosha 17 vjeçare dhe me mijëra të infektuar të çdo moshe, duke filluar  nga 0 vjeç

Dr. Artan Koni, një nga mbështetësit më të njohur të përdorimit të vaksinave ruse dhe kineze, kujton se ai ka rekomanduar vaksina ruse dhe kineze për 6 muaj me radhë dhe e mirëpret këtë vendim, megjithëse i vonuar.

Duke folur në një TV lokal të Enjten ai vendosi 3 pyetje: pse akti normativ nuk përmend fare EMA, duke ditur që Rama ka deklaruar se nuk merr vaksina të paçertifikuara nga ky institucion evropian, a u vjen keq anëtarëve të Komitetit Teknik kjo humbje kohe dhe a ka ndokush që ndihet moralisht përgjegjës për jetën që mund të ishte shpëtuar nëse këto vaksina do të ishin siguruar më herët.

"E drejta triumfon mbi padrejtësinë, përgjegjësia morale që kemi ndaj popullit tonë mund çdo interes politik të momentit !!"  përfundoi Dr. Koni

Kujtojmë  se që nga 11 janari, kur filloi vaksinimi i parë, deri më tani në Shqipëri janë kryer 20,911 vaksina.

"Deri më tani, vetëm 665 individë ose 0,02% e popullsisë janë vaksinuar me dozën e plotë. Vaksina e përdorur, e cila është e vetmja e aprovuar, është Pfizer / BioNTech, ku dozat e para u siguruan nga një donacion anonim, ndërsa më pas dozat u shpërndanë si rezultat i kontratës së qeverisë me Pfizer, "tha Open Data Albania të enjten.

/argumentum.al

© Argumentum