Rama largoi nga raportimi live gazetaren Edona Haklaj/ Reagon UGSH: Gjesti dhe prekja fizike e gazetares Edona Haklaj nga Kryeministri, një rast i paprecedent

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka dënuar ashpër veprimin e kryeministrit Edi Rama, i cili paraditen e sotme, largoi nga raportimi live gazetaren e Fax News, Edona Haklaj, pasi kjo e fundit momentalisht nuk kishte maskën sepse po raportonte live.

Teksa e kanë quajtur veprimin e Kryeministrit akt të dhunshëm dhe aspak etik, UGSH tha se këto reagime të ngutshme politike po rikthejnë kuotën tronditëse të politizimit të medias dhe të shtyrjes më tej të ndarjeve të reporterëve dhe mediave në “pro dhe kundër” palëve elektorale.

Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë

Gjesti dhe prekja fizike e gazetares Edona Haklaj nga Kryeministri, një rast i paprecedent

Tiranë më 13.03.2021

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë u njoh sot me sekuencën audiovizive dhe reagimin për shkak të shtyrjes, të reporteres së televizionit Fax News, koleges Edona Haklaj nga kryeministri i vendit Edi Rama ndërsa po zhvillohej një komunikim me mediat dhe reporterët në Tiranë. Gjesti i shtyrjes fizike për shkak të mungesës së maskës mbrojtëse nga ana e reporteres, përbën një precedent të rrallë dhe në vetvete, ka peshën e një incidenti.

Reporterja Haklaj në sqarimin publik në faqen vetiake të fb, përmes një norme të lartë etike ndien përgjegjësinë për mungesën e përkohshme të maskës dhe dënon veprimin e kryeministrit.

Një gjest i tillë prej Kryeministrit të vendit përbën në vetvete një akt të dhunshëm dhe aspak etik. Ditë më parë prepotenca verbale e kryeministrit Rama u ekspozua edhe në komunikimin me reporteren Ambrozia Meta, ndërsa zhvillonte një tjetër konferencë për shtyp me gazetarët.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë proteston ndaj gjesteve dhe akteve të tilla, aq më tepër që vijnë prej kryeministrit të vendit dhe në pikun e fushatës elektorale ku siç po vërejmë me shqetësim, skena politike dhe elektorale po tensionohet skajshmërisht. Akte të tilla, reagimet e ngutshme politike si dhe avokatitë e ekzagjeruara nga subjekte dhe protagonistë politikë ndaj raportimeve të mediave dhe gazetarëve, fatkeqësisht po rikthejnë kuotën tronditëse të politizimit të medias dhe të shtyrjes më tej të ndarjeve të reporterëve dhe mediave në “pro dhe kundër” palëve elektorale.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shpreh shqetësimin e thellë për këtë situatë dhe klimë. Dënojmë çdo tendencë politizuese, çdo lloj agresioni dhe presioni ndaj gazetarëve dhe reporterëve dhe kërkojmë që partitë politike të respektojnë vullnetin qytetar dhe ndërgjegjen qytetare të gazetarëve profesionistë dhe mediave plurale në vend si dhe legjislacionin në mbrojtje të lirisë së fjalës dhe raportimit.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shpreh solidaritetin e fuqishëm me koleget dhe gazetarët në terren, duke u kërkuar shtimin e kurajos, rritjen e këmbënguljes për raportim të thelluar dhe imponim të transparencës dhe besueshmëri të ofertave elektorale nga ana e subjekteve elektorale, aktorëve dhe kandidatëve që pretendojnë të marrin votëbesimin e qytetarëve në zgjedhjet e 25 prillit 2021, pamvarësisht se cilës palë i përkasin.

Organizata jonë përveç denoncimit të rasteve, përgjatë gjithë periudhës së mbetur të kësaj fushate është në kontakte me organizata simotra ndërkombëtare dhe institucione që investohen për lirinë e medias dhe sidomos atë të gazetarëve. Dy rastet në fjalë janë pjesë e këtij raportimi dhe arsye për shumëfishim të reagimeve tona.