Rama thirrje publike Bashës: Kërkon fitore iluzionare duke shkelur masat anti-COVID

Kryeministri Edi Rama i ka shtrirë dorën e bashkëpunimit kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha në lidhje me organizimin e fushatës elektorale.

Rama tha se nëse opozita do grumbullime më masive, duhet që bashkarisht, kërkesa t’ju drejtohet autoriteteve, por jo të realizojë grumbullime të rrezikshme ku masat anti-covid as nuk respektohen.

“Dua ti bëj thirrje Lulzim Bashës që të frenohet. Janë shfaqje të pamendueshme, të dëmshme dhe ç’edukuese. Jemi një në këtë luftë. Virusi nuk njeh parti. Duhet të marrim një vendim të vështirë. Ne si parti Socialiste e kemi marrë këtë vendim, por shqetësimi i duhet adresuar autoriteteve. Ne nuk e kemi problem që deri në fund të bëjmë fushatë me 10 vetë. Por nëse është e nevojshme le ti drejtohemi autoriteteve, por kështu nuk mund të vazhdohet. Nga ana tjetër të mos ushqehet me iluzionin se duke mbledhur ata tufa me 2 gishta të marrë ndonjë votë më shumë është komplet absurde dhe dëm i madh. Rregullat duhet të respektohen nga çdokush”, tha Rama në Fier ku prezantoi kandidatët tek Parku historik i Apolonisë.

Kreu i qeverisë deklaroi se ne duhet ta këpusim zinxhirin e infektimeve. Kjo është arsyeja që po përpiqemi të garantojmë vaksina në objektivin shumë ambicioz përmes një vaksinimi masiv të rrisim shkallën e imunizimit.