Rusia do të prodhojë vaksinën Sputnik V në Itali, e para në Bashkimin Evropian

Rusia ka nënshkruar një marrëveshje për të prodhuar vaksinën e saj coronavirus Sputnik V në Itali, kontrata e parë në Bashkimin Evropian, njoftoi të martën Dhoma Ruse e Tregtisë Italiane.

Në përpjekje për të mbushur boshllëqet Dhoma italo-ruse e Tregtisë bëri me dije se autoritetet ruse dhe Kompania ‘Adienne Pharma & Biotech’ me qendër në Zvicër kanë nënshkruar një marrëveshje për të prodhuar vaksinën ‘Sputnik V’ të Rusisë në Itali, duke shënuar marrëveshjen e parë evropiane të prodhimit për vaksinën ruse.

Sipas të dhënave të para prodhimi i vaksinës ruse në Itali pritet të nis në  qershor dhe deri më fund të vitit shpresohet të prodhohen 10 milionë doza të ‘Sputnik V’.

Agjencia Evropiane e Barnave më 4 mars njoftoi se kanë filluar shqyrtimin e vaksinës ‘Sputnik V’. e cila sipas revistës mjekësore ‘Lancet’ bazuar në testet klinike ka shfaqur 91.6 %efikasitet kundër covid-19.

Në një kohë kur Italia ka kaluar kuotën e 100 mijë vdekjeve si pasojë e COVID-it, kryeministri Mario Draghi ka deklaruar se vetëm përshpejtimi i procesit të vaksinimit i jep fund krizës së coronavirusit.

Për këtë arsye, Draghi ka rritur presionin ndaj kompanive farmaceutike që të respektojnë kontratat.

Më herët kryeministri Italian  bllokoi eksportin  drejt Australisë të vaksinës së ‘AstraZeneca’ pasi kompania uli ndjeshëm dërgesat e planifikuara për në Bashkimin Evropian. Kujtojmë se Italia synon të prodhojë vaksinën e saj ‘Reithera’, provat klinike të së cilës kanë nisur.