Shpërthim me tritol në makinën e prokurorit të KLP Arjan Muça

Një automjet, i cili ishte i parkuar ka shpërthyer pak minuta më parë në zonën e quajtur si “Komuna e Parisit” në Tiranë.

Burime nga vendngjarja pohojnë se sasia e eksplozivit është vënë në pjesën e përparme të automjetit tip “Benz”, i cili është në pronësi të prokurorit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë Arjan Muça.

Dy zjarrfikëse kanë shkuar menjëherë në parkimin ku ndodhi shpërthimi, ndërsa ekspertët po bëjnë verifikimet e nevojshme për përcaktimin e shkaqeve.

Policia e Shtetit ka raportuar zyrtarisht për ngjarjen, ku shpjegon se nga shpërthimi nuk ka persona të lënduar, por vetëm dëme materiale.

“Me datë 11.03.2021, rreth orës 19:30, tek Komuna e Parisit, në rrethana ende të paqarta ka shpërthyer dyshohet si pasojë e lëndës plasëse mjeti i parkuar në pronësi të shtetasit A. M., ku ka vetëm dëme materiale”, njofton policia.

Në kryeqytet janë ngritur disa pika kontrolli me qëllim kapjen e autorve.