Hapet zyrtarisht fushata zgjedhore në Shqipëri/ Ndërkombëtarët: Zgjedhjet të jenë transparente, të lira dhe të ndershme,

Në Shqipëri sot (25 mars) nis zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme që do të zhvillohen më 25 prill.

Partia Socialiste (PS) dhe Partia Demokratike (PD) nisin fushatën me aktivitete në Tiranë, ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim do ta nisë fushatën me takime në Divjakë.

Partia Socialiste që është aktualisht në pushtet, pritet ta nisë fushatën në sheshin “Skënderbej” në Tiranë rreth orës 17:00. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njëherësh kryetar i kësaj partie, kërkon për herë të tretë “timonin” për udhëheqjen e vendit.

Po në të njejtin lokacion, Partia Demokratike që është partia më e madhe opozitare, hap fushatën e saj. Bëhet e ditur se PD-ja nuk ka bërë thirrje për qytetarët dhe në shesh pritet të jenë vetëm kandidatët për deputetë. Kreu i kësaj partie, Lulzim Basha, pritet që të listojë pikat e programit të tyre qeverisës.

Ndryshe nga PS dhe PD, Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ka një tubim kryesor, por ka vendosur të mbajë takime të vogla me qytetarë. Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka planifikuar takime në Divjakë, ndërsa kandidatët për deputetë në Tiranë kanë vijuar me rutinën e zakonshme me mbledhje në mëngjes dhe takime në terren.

Shefi i Delegacionit të BE-së, Luigi Soreca dhe shefat e misioneve të Shteteve Anëtare të BE-së në Shqipëri përmes një deklarate të përbashkët kanë thënë se po ndjekin nga afër përgatitjet e zgjedhjeve parlamentare dhe fushatës elektorale.

“Nisja e fushatës zyrtare është rasti që partitë politike dhe kandidatët t’i përqendrojnë debatet e tyre te programet përkatëse politike dhe reformat që synojnë të paraqesin për të përmirësuar jetën e të gjithë qytetarëve”, thuhet në deklaratën e tyre.

Ata bëjnë thirrje që zgjedhjet të jenë transparente, gjithëpërfshirëse, të lira dhe të ndershme, si dhe të respektohet rezultati i tyre.

“Ne kemi besim se të gjitha institucionet përkatëse shqiptare dhe aktorët politikë do të veprojnë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe me vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, thuhet ndër tjerash te deklarata e përbashkët e ambasadave.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të mërkurën thirrje që partitë dhe institucionet të respektojnë Kodin Zgjedhor dhe të shmangin përdorimin e aseteve publike për fushatë.

Në anën tjetër, Komiteti Teknik i Ekspertëve nuk i ndryshoi masat kufizuese për pandeminë duke ndaluar për të paktën dy javë të tjera grumbullimet me më shumë se 10 persona.