Takimi Borisov-Osmani: Marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore janë prioriteti ynë kryesor,

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në aeroportin e Sofjes realizoi takim me kryeministrin e Bullgarisë, Bojko Borisov, në kuadër të misionit të tij diplomatik të vizitës në Zvicër dhe në Spanjë.

Në kumtesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) të Maqedonisë së Veriut thuhet se takimi ishte miqësor, në të cilin ishin hapur temat për marrëdhëniet dypalëshe, situatën e brendshme politike në të dy vendet, si dhe perspektivat evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe të gjithë rajonit.

"Marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore janë prioriteti ynë kryesor, dhe angazhimi ynë i sinqertë është përforcimi i marrëdhënieve me Republikën e Bullgarisë. Ky është edhe interes i yni shtetëror, për të cilin mbetemi fuqimisht të përkushtuar për ta zbatuar Marrëveshjen për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim, si një mjet i rëndësishëm i përforcimit të mirëbesimit ndërmjet qytetarëve tanë", tha Osmani.

Osmani dhe Borisov ranë dakord se rruga përpara është nëpërmjet miratimit dhe aplikimit të vlerave evropiane, ndërsa në kumtesë theksohet se marrëdhëniet dypalëshe në mënyrë plotësuese do të përforcohen nga aleanca në NATO dhe bashkëpunimi i ngushtë në kuadër të BE-së.