Tritol në makinën e prokurorit/ " KLP merr në mbrojtje Arjan Muçën: Atentat terrorist ndaj drejtësisë!

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka reaguar ndaj ngjarjes së rëndë që ndodhi mbrëmjen e djeshme ku prokurorit Arjan Muça iu vendos tritol në makinë, duk e cilësuar si akt terrorist ndaj drejtësisë.

Në reagimin e KLP thuhet se ajo që ka ndodhur mbrëmë në Tiranë duket si një sulm i shënjestruar ndaj prokurorit për shkak të funksionit të ti.

Si i tillë, ky sulm përbën një akt të papranueshëm që synon të intimidojë prokurorin dhe të cënojë mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë penale në luftën kundër krimit. Këshilli i Lartë i Prokurorisë e konsideron çdo sulm kundër prokurorëve si një atentat terrorist ndaj sistemit të drejtësisë penale, rendit tonë juridik, vlerave tona shoqërore dhe mënyrës tonë të jetesës”, thuhet në reagimin e KLP.

Ndër të tjera Këshilli do t’i sigurojë prokurorit Muça dhe familjes së tij mbrojtje të posaçme.

Njoftim për Media

Këshilli i Lartë i Prokurorisë mësoi me indinjatë të thellë lidhur me aktin kriminal që ka ndodhur dje mbrëmë kundër prokurorit Arjan Muça, prokuror pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër i komanduar pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Në pritje të përfundimit të hetimit, të cilit e presim me padurim, ajo që ka ndodhur dje mbrëmë në Tiranë duket si një sulm i shënjestruar ndaj prokurorit për shkak të funksionit të tij. Si i tillë, ky sulm përbën një akt të papranueshëm që synon të intimidojë prokurorin dhe të cënojë mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë penale në luftën kundër krimit.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë e konsideron çdo sulm kundër prokurorëve si një atentat terrorist ndaj sistemit të drejtësisë penale, rendit tonë juridik, vlerave tona shoqërore dhe mënyrës tonë të jetesës. Për këtë arsye ne e konsiderojmë mbrojtjen e prokurorëve të Republikës si detyrën numër një të Këshillit.

Në ushtrim të përgjegjësive tona kushtetuese për mbrojtjen e prokurorëve, në zbatim të ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë“, Këshilli do t’i sigurojë prokurorit Muça dhe familjes së tij mbrojtje të posaçme. Gjithashtu, Këshilli iu bën thirrje të gjitha organeve ligj zbatuese të hetojnë me këmbëngulje dhe përparësi absolute ngjarjen e sotme për të arritur në zbardhjen e saj të plotë dhe të shpejtë. Kjo është mënyra më e mirë për t’i dhënë përgjigjen e duhur krimit dhe për të parandaluar ngjarje të tilla në të ardhmen. Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të ndjekë me interes punën e grupit hetimor deri në zbardhjen përfundimtare të ngjarjes dhe do të mbetet në gatishmëri për kryerjen e detyrave që ia ngarkon ligji.

(Kërkesa e prokurorit Muça për mbrojtje të posaçme drejtur KLP)