Turqia reagon ashpër për hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem

Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë ka dënuar me forcë hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

Përmes një deklarate nga Ambasada turke në Kosovë, autoritetet turke shprehen të shqetësuara thellë nga ky veprim i autoriteteve kosovare.

Vendimi i marrë nga udhëheqësit e një populli që u ballafaqua me vuajtje të mëdha për hir të fitimit të pavarësisë së saj, duke injoruar gjendjen e vështirë të palestinezëve, të cilët kanë jetuar nën okupim për dekada dhe kanë vuajtur shkelje të mëdha të të drejtave të njeriut, është jashtëzakonisht për të ardhur keq”, thuhet në reagimin e MPJ-së së Turqisë.

Sipas deklaratës, duke vepruar në këtë mënyrë,  udhëheqësit kosovarë kanë vepruar në kundërshtim me parametrat e vendosura të procesit të paqes, duke përfshirë rezolutat përkatëse të Kombeve të Bashkuara për statusin e Jerusalemit dhe dëmtuar vizionin e një zgjidhjeje me dy shtete dhe shpresat e paqes në rajon.

“Ne i inkurajojmë udhëheqësit kosovarë që të dëgjojnë mendjen e shëndoshë dhe të heqin dorë nga ky hap i papërgjegjshëm dhe i paligjshëm”, thuhet në reagim.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës njoftoi sot hapjen e Ambasadës në Jerusalem. Vendimi për hapjen e selisë diplomatike vjen në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë nga kryeministri në detyrë Avdullah Hoti, e cila, ndër të tjera, parashikonte njohjen e pavarësisë së Kosovës me kushtin që Ambasada e Kosovës të hapej në Jerusalem, e jo në Tel Aviv.