Zv.Kryeministri i Maqedonisë së Veriut i kërkon ndihmë Tiranës zyrtare për "Censusin"

Regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut që do të nise më 1 prill me një afat kohor deri me 21 prill, ka zgjuar dhe thirrjet e politikanëve shqiptare në Kosovë dhe Shqipëri për diasporen  shqiptare të Maqedonisë së Veriut që ti bashkëngjiten këtij procesi .

Fillimisht nga Kosova, Albin Kurti me një videomesazh  bënte  thirrje të gjithë shqiptarëve të RMV-së të aplikojnë për tu regjistruar në platformen online, madje Lideri i Vetëvendosjes tha se LVV do të jetë në dispozicion. “Qendrat e LVV-së, që ndodhen në shtetet e ndryshme në Evropë dhe gjetiu, do të vendosen në shërbim të shqiptarëve, të cilët janë shtetas të Maqedonisë së Veriut, nëse ata kanë nevojë për ndihmë gjatë regjistrimit”, theksonte Kurti në videomesazhin e tij.

Ndërsa prej 2 ditësh zv/ kryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, ndodhet në Shqipëri ku është takuar me zyrtaret më të lartë dhe me liderit politik për ti kërkuar mbështetje në regjistrimin e popullsisë në RMV.

Në të gjitha takimet që nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z.Meta  duke vijuar me Kryetarin e  Opozitës, Z.Basha, Kryeministrin e vendit Z.Rama, kreun  e Kuvendit, Z.Ruci, kreun e grupit parlamentar, Z.Balla, Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Z.Veliaj, njëzëri kanë bërë thirrje për të gjithë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut  që të regjistrohen në Censusin e 1 Prillit.

Z.Grubi harron se përveçse shqiptar, është dhe zv/kryeministër i Republikës së Maqedonisë, e si përfaqësuesi i këtij shteti  do duhej të bënte thirrje për të gjithë qytetarët pa dallime etnike, aq më teper kur në këto takime zyrtare shoqërohet nga  vete Ambasadori maqedonas(!)

Këto ndasi por dhe këto thirrje nga Tirana zyrtare, nuk e ndihmojnë aspak këtë proces, pasi pala maqedonase me të drejtë mund ta konsideroje si “ndërhyrje” në politikën e brendshme.

Më poshtë pasqyrimi mediatik i takimeve zyrtare të  Z.Grubi në Tiranë;

Image

Kryeministri Edi Rama ka pritur në kryeministri, zv. kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi. Lajmin e ka bërë të ditur ky i fundit, përmes disa fotove në rrjetin social “Twitter”.

Duke iu referuar fotos së publikuar, ku shfaqen me një pankartë në të cilën shkruhet “Census”, nënkupton që mes dy funksionarëve të lartë është folur për procesin e regjistrimit të diasporës, proces që ka filluar më 1 mars dhe përfundon në 21 prill.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mirëpriti Zv/kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, të cilit i dhuroi “Kullën e Sahatit”.

Zv/kryeministri Grubi kërkoi mbështetjen e kryebashkiakut që të bëhet pjesë e fushatës për ndërgjegjësimin dhe mobilizimin maksimal në procesin e regjistrimit të diasporës, proces i cili ka filluar më 1 mars dhe përfundon në 21 prill.

“Erioni është një figurë e dashur, jo vetëm për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, por edhe për ata të Kosovës dhe diasporës. Pa asnjë dyshim që, thirrja e tij për regjistrim do ketë një impakt shumë të madh deri tek bashkëqytetarët tanë, të cilët jetojnë në diasporë”, theksoi zv/kryeministri i Maqedonisë, Artan Grubi.

Veliaj takon Artan Grubin, ftesë shqiptarëve të maqedonisë për t’u regjistruar në census

Kryebashkiaku Veliaj nënvizoi rëndësinë që ka procesi i regjistrimit dhe bëri një paralelizëm me Tiranën.

“Kur morëm detyrën, në Tiranë kishim lagje të tëra që ishin populluar ndër vite, të cilat përdornin shërbimet, shfrytëzonin infrastrukturën, por regjistrimin e kishin në një qytet tjetër. Për këtë arsye nuk e dinim se sa banorë kishin lagje të caktuara, ndaj nuk buxhetonim dot mjaftueshëm për ndërhyrjet në infrastrukturë, nuk planifikonim dot shkollat e reja, për linja të autobusëve. Nëse regjistrimi është i rëndësishëm për një qytet, imagjino sa i rëndësishëm është për një shtet, ku të drejtat varen prej regjistrimit apo prej popullatës mbi 20%”, u shpreh Veliaj.

Ndërsa, ai i ftoi të gjithë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe jo vetëm, që të regjistrohen, sepse duhen vetëm 5 minuta për ta kryer këtë proces.

“I ftoj të gjithë miqtë, sidomos shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, e jo vetëm ata që jetojnë në Shqipëri apo kudo në botë, të regjistrohen në faqen e censusit të Institutit të Statistikave të Maqedonisë së Veriut. Procesi zgjat vetëm 5 minuta dhe secili mund të regjistrojë veten, bashkëshorten, fëmijët, familjarët, prindërit – është një akt patriotik, që i garanton shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, të drejta që janë fituar me shumë, shumë mund, me shumë djersë, madje dhe me shumë, shumë gjak”, nënvizoi Veliaj

Kryetari i Grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla zhvilloi një takim me zv. Kryeministrin e parë të Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi.

Pas takimit, Balla në një prononcim për mediat theksoi rëndësinë e regjistrimit të qytetarëve në portalin zyrtar të qeverisë maqedonase, pasi kjo sipas tij, i jep forcë përfaqësimit të qytetarëve shqiptarë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Censusi në Maqedoninë e Veriut, Balla takim me zv. Kryeministrin Grubi: Shqiptarët të regjistrohen në portalin zyrtar

“Qytetarët të Maqedonisë së Veriut që jetojnë në çdo cep të globit, të regjistrohen në portalin zyrtar të qeverisë së Maqedonisë, në censusin i cili i jep forcë përfaqësimit të qytetarëve shqiptarë në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Në portalin zyrtar duhet të aksesojë çdo qytetar shqiptar pavarësisht se ku jeton sepse kështu i bëjmë nder të qenurit shqiptar dhe sigurisht përfaqësimit edhe më të madh të shqiptarëve në organet e përfaqësimit në Maqedoninë e Veriut.
Dua të theksoj se aktualisht shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë dhe përfaqsimin më të lartë historik. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që në Maqedoninë e Veriut, shqiptarët të kenë kryetarin e Parlamentit, shqiptarët të kenë zv. Kryeministrin e parë dhe nëse i marrim në total bashkë me ministrat e Bashkimit Demokratik për Integrim, por edhe të shqiptarëve të tjerë, janë 8 ministra shqiptarë në qeverinë e Maqedonisë së Veriut.”, tha Balla.

Presidenti Ilir Meta priti sot në një takim vëllazëror zëvendëskryeministrin e parë të Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi dhe delegacionin që e shoqëronte.

Lajmi bëhet i ditur nga Presidenti Meta, i cili shprehet se u njoh prej tij me ecurinë e regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut dhe theksova rëndësinë që ka përfshirja sa më e madhe e diasporës shqiptare në këtë proces.

“Përtej aspektit statistikor, regjistrimi i popullsisë do të jetë përmbajtësor në avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, ndaj i inkurajoj të gjithë të marrin pjesë në të. Si dy vende fqinje, aleate në NATO dhe me vizione të përbashkëta euroatlantike, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të duhet të forcojnë edhe më shumë marrëdhëniet në dobi të paqes, stabilitetit dhe zhvillimit të rajonit”, tha Meta

Kreu i PD, Lulzim Basha priti  në një takim zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi.

Në dalje të selisë së PD-së, lideri demokrat, Basha u ndal në një komunikim me gazetarët, ku zbardhi detaje nga biseda me Grubin. Kreu i PD-së tha se me Grubin folën për shumë cështje, ku më kryesorja ishte regjistrimi i popullates ne Maqedonine e Veriut.

“Pata kënaqësi që të dëgjoja në vetë të parë, disa avancime kuptimplota në rrafshin e zhvillimit për shqiptarët, për projekte të përbashkëta, që do të shkojnë nga forcimi i ekonomisë mes dy vendeve. Këtu përfshihen projekte që kam pasur për zemër, siç është Korridori Blu, që ka ngelur në Elbasan, por i premtova se do të shkojë deri në Maqedoninë e Veriut.

Basha bën thirrje për emigrantët nga Maqedonia e Veriut: Kryeni Tema që e konsideroj kryesore, qendrore e këtij takimi është procesi i regjistrimit në Maqedoninë e Veriut, censusi.

Censusi lidhet drejtpërdrejtë me të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Që do të thotë se një regjistrim i saktë në veçanti i qytetarëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të mërgatës, është me rëndësi, për të drejtat kushtetuese. Për të reflektuar ato që ndikojnë jetën e bashkëkombëseve tanë. Për të reflektuar të gjitha detyrimet që do të burojnë nga kushtetuta, nga marrëveshja e Ohrit, investimet kapitale që bëhen në zonat e banuara, subvencionet për fermerët, kuotat në administratën publike, gjithçka që ka të bëjë me vëllezërit e motrat tona ka të bëjë drejtpërdrejt me censusin.

Jemi në kohë për t’i drejtuar një thirrje, në emrin e PD, në emër të çdo shqiptari, këtë thirrje ia drejtoj emigrantëve, diasporës, të mërguarve nga Maqedonia e Veriut, ndani 10-15 minuta nga koha juaj dhe kryeni regjistrimin online sepse kështu do të ndihmoni drejtpërdrejt familjet tuaja në Maqedoninë e Veriut, do ndihmoni garantimin dhe fuzimimin e të drejtave të tyre.”, tha Basha

/argumentum.al

© Argumentum