Ambasadorët Kim dhe Soreca përshëndesin certifikimin e 28 hetuesve të BKH-së: Vettingu vazhdon

Ambasada Amerikane në Tiranë ka përshëndetur kualifikimin e kandidatëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Nëpërmjet një statusi në Twitter ambasada amerikane shkruan se SHBA-të do të vijojnë që të mbështesin Prokurorinë e Posaçme dhe ata që i përgjigjen thirrjes së detyrës për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.

“Urime dhe fat të mbarë burrave dhe grave që përfunduan me sukses procesin rigoroz të aplikimit dhe tani do të fillojnë trajnimin për Byronë Kombëtare të Hetimit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të mbështesin SPAK-un dhe ata që i përgjigjen thirrjes së detyrës për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në emër të popullit shqiptar”, shkruan ambasada.

Me tej edhe  vete Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim ka përshëndetur lajmin se janë përzgjedhur 28 hetuesit e parë të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Teksa ka shpërndarë mesazhin e ambasadës së SHBA në Twitter, Kim ka dhënë edhe një mesazh lidhur me zhvillimet në sistemin e drejtësisë.

Ambasadorja Kim shprehet ndër të tjera se SPAK po sekuestron pasuri dhe po vendos kriminelët pas hekurave. Ajo thekson se edhe Gjykata Kushtetuese po funksionon dhe Gjykata e Lartë po shqyrton çështje.

“SPAK po procedon më shumë, duke sekuestruar pasuritë dhe duke i vendosur kriminelët pas hekurave; Gjykata Kushtetuese po funksionon; Gjykata e Lartë po shqyrton çështje; vettingu vazhdon. Inspektorët e BKH po trajnohen. Reforma në Drejtësi nuk është e lehtë, e shpejtë ose e përsosur, por po ecën përpara edhe nëse ‘djemtë e këqij’ nuk e duan atë”, shkruan ambasadorja.

Edhe ambasadori i  BE-së, Luigi Soreca, e ka përshëndetur certifikimin e 28 kandidatëve për Byronë Kombëtare të hetimit. Në mesazhin e tij në rrjetet sociale Soreca ka nënvizuar se është e rëndësishme të nisë një thirrje e dytë për hetues të BKH.

“Ne mirëpresim përfundimin e procesit të verifikimit për kandidatët e parë për hetuesit të BKH. Urime grave dhe burrave që e përfunduan me sukses! Tani do të fillojnë trajnim të specializuar. E rëndësishme është të filloni një thirrje të dytë për hetues. BE vazhdon të mbështesë SPAK”, shkruan ambasadori Soreca.

©  Argumentum.