Ambasadorët Yuri Kim dhe Luigi Soreca: Kryetarët e partive të presin me durim rezultatin dhe të pranojnë vullnetin e popullit.

Ambasadorja e ShBA-së Yuri Kim dhe ambasadori i BE-së Luigi Soreca në një deklaratë për mediat nga Durrësi i kanë bërë thirrje prokurorëve që të hetojnë incidentet e ndodhura gjatë procesit të votimit.

“E di që janë raportuar disa incidente dhe tashmë është përgjegjësia e autoriteteve për të vazhduar hetimin. Siç e dini ne i kemi bërë thirrje prokurorëve që ta ndjekin dhe të mund të hetojnë këto çështje deri në fund,” shprehet ambasadorja Kim.

“Votimi ka ecur mirë pa probleme, me disa incidente, që do hetohen dhe në këto orë që kanë mbetur ftojmë qytetarërt të votojnë,” tha ambasadori Luigi Soreca.

Ambasadorët kanë kërkuar nga qytetarët dhe kryetarët e partive që të presin me durim rezultatin dhe të pranojnë vullnetin e popullit.

“Tani është radha e kandidatëve për deputetë dhe drejtuesve të presin rezultatet dhe të presin gjykimin e popullit,” tha ambasadorja Kim.

“Pas votimit prisni rezultatin qetësisht dhe për udhëheqësit kini durim për të ditur rezultatin dhe respektojeni. Duhet të votoni për të ardhmen në Bashkimin Evropian,” tha ambasadori Soreca.