Atletet… e zezë dhe e bardhë. A është ky një paralajmërim për një bashkëqeverisje PD-PS?

Editorial

Përgjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, ndryshe nga herë të tjera Partia Socialiste ka zgjedhur të flasë më shumë nëpërmjet elementeve  simolike. Kjo jo vetem për shkak  se Kryetari i Partisë Socialiste dhe njëherazi Kryeministri i Shqipërisë z. Edi Rama është piktor, (shpesh herë e ndërthur pjesën artisike me politikën)  por  edhe për shkak të pandemisë e cila na identifikon me maskën.

Maska, krevata, shamia janë elementë bashkëshoqërus dhe zë i rëndësishëm i Kryeministrit Rama për të përcjelle mesazhe jo vetem drejt elektoratit por dhe kundërshtarit politik të tij.

Kësaj radhe z.Rama ka zgjedhur atletet (si elemente kyç në ecurinë e një gare), për ti përcjellë një mesazh të drejtpërdrejtë kundërshtarit  të tij politik z.Lulzim Bashës. Një palë atlete,  e majta në ngjyrë të bardhë dhe e djathta në ngjyrë të zezë,  për të treguar domosdoshmërinë për të ecur sëbashku, pavarësisht bindjeve politike.

Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në një takim me të rinj në Laprakë, Tiranë, tha se sfida e tij më e madhe është “bashkimi i forcave të jashtëzakonshme kundër atyre që janë bashkë për të na mbajtur të përçarë”.

Nuk mora të majtën dhe të djathtën e bardhë, mora të majtën e bardhë dhe të djathtën e zezë, për të thënë që për të vrapuar duhen të dyja këmbët, për të shkuar më lart duhen të dyja këmbët, për mua sfida e madhe është që të bashkojmë forcat e jashtëzakonshme të njerëzve të zakonshëm, jo vetëm kundër të gjithëve siç thuhet, por vetëm kundër atyre që janë bashkë për të na mbajtur të përçarë, vetëm kundër atyre që janë bashkë për të thënë se në këtë vend gjithçka ka shkuar më keq se 8 vite më parë, ndërkohë që nëse ky vend sot është ngjitur deri në një pikë dhe ka shansin të ngjitet shumë më lart, do ndodhë sepse ne nuk jemi vetëm, por të bashkuar me ata që pavarësisht bindjeve të tyre politike, kanë një besim se jeta e tyre mund të behët më e mirë këtu duke punuar“, tha Rama.

Përtej kësaj retorike, duket se Kryeministri Rama po shtrin dorën për një bashkëqeverisje të mundshme PS-PD pas 25 prillit.

Nuk është hera e parë që z.Rama lë hapur mundësinë për një bashkëqeverisje me Partinë Demokratike, nisur dhe nga deklaratat e fundit.

I pyetur në një emision televiziv mbi mundësinë e një koalicioni me PD apo LSI pas zgjedhjeve, në mënyrë kategorike kreu i qeverisë përjashtoi mundësinë e bashkëpunimit me partinë e Kryemadhit ndërsa nuk bëri të njëjtën gjë për PD. Rama u shpreh se nuk do të ketë asnjëherë koalicion me LSI çfarëdo që të ndodhë. Ndërsa, për PD ai u shpreh se po përpiqet që të zbusë gjakrat dhe rregullojnë marrdhëniet. Në lidhje me koalicionin PD-LSI, kreu i qeverisë u shpreh se kreu i PD Lulzim Basha është marrë peng më anë të një kontrate nga ish-kryeministri Sali Berisha, presidenti Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi.

Madje Z.Rama e “justifikoi” kontratën parazgjedhore ndërmjet PD-së dhe LSI-së.

Me LSI-në asnjëherë koalicion, në asnjë rast, për asnjë arsye. PD-LSI kanë bërë një kontratë parazgjedhore dhe pastaj janë futur në zgjedhje veç e veç. Kjo është diçka shumë domethënëse. Kontrata e tyre parazgjedhore është në fakt një kontratë që noterizon pengmarrjen e Lulit nga Monika për llogari të Ilirit dhe të Saliut. Iliri dhe Saliu duan me çdo kusht që të garantohen që Luli nuk iu del nga duart. Monika është garant e kësaj nevoje, në pjesën e fshehtë të kontratës kapja prej fyti e Lulit është bërë shumë e strukturuar. Por do të ishte shumë e rëndësishme dhe unë do të bëj gjithë përpjekjet e mia që klima e marrëdhënieve mes nesh dhe palës tjetër të ndryshojë sepse nuk mund të vazhdohet kështu”, tha Rama.

Në ndërkohë duhet thënë se diskursi i liderit të Partisë Socialiste kundrejt z. Basha gjatë kësaj fushate elektorale është tejet e zbutur. Madje hera-herës çdo veprim apo kundërpërgjigjie politike të z.Basha ai e justifikon me faktin se Basha është në  “kthetrat” e Kryemadhit dhe Metës. Madje duhet thënë se i gjithë sulmi politik i Partisë Socialiste i është drejtuar vetem Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Presidentit të Republikës.

E “bardha dhe e zeza” ose “yin dhe yang” që Zoti Rama hodhi si “As” nën mëngë në këtë garë, është një koncept i dualizmit,  që në filozofinë e lashtë kineze, e përshkruajnë se si forcat në dukje të kundërta mund të jenë në të vërtetë komplementare, të ndërlidhura dhe të ndërvarura në botën natyrore, dhe si ato mund të lindin me njëri-tjetrin pasi ato ndërlidhen me njëra-tjetrën.

Ishte pikërisht ky  mesazhi i qartë që Kryeministri Rama i dërgon Kryetarit të opozitës Z.Lulzim Basha vetëm 2 javë para finales së madhe. Pas 25 prillit, “Bashkejetesë dhe Bashkëqeverisje”  PS-PD.

/argumentum.al

© Argumentum