Bashkëpunimi mbi klimën Kinë-ShBA: Akullnaja dhe tensione politike që shkrihen?

Dr. Marsela Musabelliu

22 Prilli është Dita Ndërkombëtare e Tokës, kjo ditё shënon përvjetorin e lindjes së lëvizjes moderne mjedisore nisur pesëdhjetë vite më parë. Duke mbështetur simbolikën e datës 22, liderët botërorë mbajtën një takim virtual, me ftesë të Presidentit amerikan Joe Biden, për të adresuar çështjet më emergjente dhe axhendat kombëtare në lidhje me klimën. Vendet që morën pjesë, së bashku përfaqësojnë 70% të ekonomisë botërore. Ndërkohë që akullnajat po shkrihen nga ngrohja globale, kështu duket sikur po ndodh edhe me tensionet politike midis shteteve - të paktën gjatë këtij samiti.

Mesazhi nga Kina për klimën.

Për të zbutur efektet që mund të vijnë nga një mbinxehje e rrezikshme e planetit, vendet në të gjithë botën po shtojnë përpjekjet për të përballuar emergjencën, sidomos vendet e industrializuara. Asnjë vend i vetëm ose individ në këtë botë, sado i pasur dhe i fortë mund të jetë, nuk mund të adresojë i vetëm ndryshimin e klimës. Shpresa që ky samit do të shërbejë si një platformë e dobishme për komunikimin global, për të trajtuar sfidën e ndryshimeve tё klimёs, dhe duke promovuar bashkërisht qeverisjen mjedisore ishte në krye të axhendës kineze.

Kina ka punuar për ndërtimin e një mekanizmi aktiv dhe transparent me të gjitha palët për të rritur besimin e ndërsjellë për të trajtuar krizën e ndryshimit të klimës. Përpjekjet e Kinës për energjitë e rinovueshme dhe legjislacioni mjedisor në Kinë, kanë rezultuar shumë efektive dhe kanë patur si rezultat njё përmirësim të dukshëm në cilësinë e ajrit në qytetet kryesore të vendit.

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, në datën 22 prill, bëri një propozim me gjashtë drejtime, duke përfshirë qëndrimin e përkushtuar ndaj harmonisë midis njeriut dhe natyrës; zhvillimin e gjelbër; qeverisjen sistemike; një qasje me në qendër njerëzit, multilateralizmin dhe parimin e përbashkët, por përgjegjësi të diferencuara.

Duke përsëritur qëllimin e Kinës për të arritur kulmin e emetimeve të dioksidit të karbonit para vitit 2030 dhe për të arritur neutralitetin e karbonit para vitit 2060, Xi tha se periudha e angazhimit të Kinës për të kaluar nga kulmi i emetimeve të karbonit në neutralitetin e tij është shumë më e shkurtër se ajo që mund të marrin shumë vende të zhvilluara. Kjo kërkon përpjekje jashtëzakonisht të mëdha nga Kina, por edhe shumë sakrifica.

Xi u kujtoi gjithashtu pjesëmarrësve se Kina e ka mbajtur fjalën e dhёnë në 2009 dhe ka përmbushur zotimet e përcaktuara përpara afatit.

Duke mirëpritur kthimin e Shteteve të Bashkuara në qeverisjen shumëpalëshe mbi ndryshimin e klimës, Xi tha se Kina po pret të punojë me komunitetin ndërkombëtar, përfshirë ShBA, për të avancuar qeverisjen globale të mjedisit. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit global, duke bërë thirrje që bashkësia ndërkombëtare të punojë së bashku, në vend që të përdorë akuza të ndërsjella.

Çfarë është premtuar dhe çfarë është bërë?

Presidenti Xi ishte shumë komod me pozitat e vendit të tij në këtë takim, jo vetëm sepse Kina ka bërë shumë për mbrojtjen e mjedisit por edhe sepse zotimet për të ardhmen janë edhe më të vështira.

Deri në vitin 2019 intensiteti i emetimit të karbonit në Kinë ishte ulur me pothuajse 50% në krahasim me 2005. Për më tepër, premtoi të çojë atë shifёr në pothuajse 65% deri në 2030. Në Kinë burimet e ripërtëritshme të energjisë janë zgjeruar me shpejtësi dhe kapaciteti i vendit për prodhimin e energjisë së rinovueshme sipas Administratës së Energjisë të Kinës në vitin 2020 arrin 40% e energjisë totale të vendit. Sipas të dhënave të agjencive ndërkombëtare të energjisë së rinovueshme, Kina renditet në vendin e parë në botë në kapacitetin dhe nё prodhimin e energjisë elektrike. Për më tepër, është bërë një përmirësim i dukshëm që nga viti 2012 në efikasitetin e energjisë; Fjala kyçe është “më pak qymyr”.

Por, sfidat e zhvendosjes së fokusit energjetik të Kinës larg qymyrit janë të mëdha. Në fjalimin e tij Presidenti Xi tha se Kina do të kontrollojë në mënyrë rigoroze projektet e gjenerimit të energjisë me qymyr dhe do të kufizojë në mënyrë serioze rritjen e bashkë-konsumit gjatë periudhës së planit të 14-të Pesë Vjeçar (2020-2025) dhe do t’a ulë atë në periudhën e planit 15-të Pesë Vjeçar (2025-2030).

Ajo që Presidenti Xi po premton për qymyrin është një transformim themelor për të akomoduar një revolucion të energjisë së pastër.

Gjysma e qymyrit të Kinës digjet drejtpërdrejt në industrinë e rëndë, sepse fabrikat kineze prodhojnë gjysmën e çelikut dhe çimentos në botë. Fatkeqësisht tani për tani nuk ka alternativa të disponueshme që janë me kosto efektive. Kjo do të kërkojë investime dhe përpjekje masive në mënyrë që të zhvillohen alternativa më të pastra. Do të jetë një udhëtim shumë i vështirë dhe populli kinez do të duhet të përballojë koston. Në mënyrë që të ketë përqëndrim në energjinë e rinovueshme, ka nevojë për investime, dhe ka shumë përparësi në vend që qeveria duhet të menaxhojë, por transformimi i energjisë po merr pjesën më të madhe të burimeve të vendit në mënyrë që të japë fryte në të ardhmen e afërt.

Nga ana tjetër, në këtë dekadë Kina është bërë prodhuesi më i madh i paneleve diellorë, baterive të litiumit, dhe makinave elektrike. Ajo blen për tregun e saj gjysmën e makinave elektrike në botë dhe pothuajse të gjithë autobusët elektrikë në rang global. Trajektorja e gjelbër në të ardhmen është e dukshme.

Gjeopoltika e klimës

Sinjali i parë për të marrë hapa serioze në nivel ndërkombëtar mbi kërcënimet që vijnë nga ndryshimet klimatike u hodh në vitin 2013 në France. Bashkëpunimi Kinë-ShBA ishte thelbësor për suksesin e asaj që më pas u quajt “Marrëveshja e Parisit” dhe ka rëndësi historike për sa i përket vendeve të industrializuara dhe zotimet që ato bënë. Krijimi i Grupit të Punës mbi Ndryshimet e Klimës SHBA-Kinë në 2013, hodhi themelin për marrëveshjen e klimës në të cilën Pesidenti Xi dhe Presidenti Obama asokohe njoftuan synimet përkatëse të reduktimit të emetimeve të dioksidit tё karbonit (CO2), që përbën pjesën dërrmuese të emetimeve të gazeve të demshëm.

Objektivat nga ajo marrëveshje ishin të jashtëzakonshёm. Veçanërisht sepse ishte hera e parë që Kina pranoi të kulmonte emetimet e saj të dioksidit të karbonit. Në vitin 2017 Trump e tërhoqi ShBA-në nga Marrëveshja e Parisit, ndërsa kabineti i ri i Presidentit Biden, po duket i gatshëm të bashkëpunojë me Kinën në këtë fushë. Duke emëruar John Kerry si të dërguar të klimës, ekipi i Biden po përcjell një ndjenjë kthimi në normalitet, ose të paktën një kthim në një epokë si ajo para-Trump.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Antonio Gutierres, tre ditë para takimit të liderave të datës 22 prill tha se bashkëpunimi i dy ekonomive më të mëdha të botës për klimën, nuk është vetëm i nevojshëm, është jetësor.

Një javë para samitit të datës 22 prill i dërguari i SHBA për klimën John Kerry udhëtoi në Shangai për t'u takuar me homologun e tij kinez Xie Zhenhua, duke shënuar vizitën e parë të nivelit të lartë në Kinë nga një zyrtar i administratës së Biden. Të dy palët ranë dakord të bënin veprime konkrete për të zbatuar Marrëveshjen e Parisit. Biseda e përbashkët nga dy të dërguarit special ishte hapi i parë i shtrimit të rrugës për dy ekonomitë më të mëdha të botës që të jenë në të njëjtën linjë. Pa dyshim që kjo është tema e duhur që të dy vendet të fillojnë të eksplorojnë së bashku, me kapitalin intelektual që kanë. Me këtë takim ShBA bën një hap për t'u bashkuar me përpjekjet globale për klimёn, nga ana tjetër duhet pasur parasysh që Kina nuk ka dalë kurrë nga Marrëveshja e Parisit dhe iu ka përmbajtur zotimeve të asaj marrëveshjeje.

Së fundmi, rreziku është real dhe niveli i katastrofave të lidhura me klimën është në shifra alarmante. Dy dekadat e fundit ka pasur mbi 7000 raste të tilla, kurse nga 1980-2000 ato kanë qenë afro 3000. Fatkeqësitë e mëdha që lidhen me klimën si përmbytjet, zjarret e mëdha, uraganet, stuhitë, thatësira etj, nuk kanë kufij - dhe pa kufij duhet të jetë edhe zgjidhja./CRI