Blinken: Do të largohemi nga Afganistani bashkë me aleatët

Koalicioni i trupave të drejtuara nga NATO-ja në Afganistan do të largohet nga vendi në koordinim me tërheqjen e planifikuar të forcave amerikane deri më 11 shtator, tha të mërkurën Sekretari amerikan i Shtetit.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha në Bruksel se është koha që aleatët e NATO-s të venë në jetë premtimin e aleancës se ata shkuan në Afganistan së bashku dhe do të largohen së bashku.

"Unë jam këtu për të punuar ngushtë me aleatët tanë, me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, mbi parimin që kemi vendosur që nga fillimi: kemi shkuar së bashku, jemi stërvitur së bashku dhe do të dalim së bashku," tha zoti Blinken në një deklaratë në selinë e NATO-s.

Në Afganistan ndodhen 2,500 trupa amerikane. Por atje ka gjithshtu edhe rreth 7,000 forca jo-amerikane, kryesisht nga vende të NATO-s, si edhe nga Australia, Zelanda e Re dhe Gjeorgjia, të cilat ende kanë mbështeten ajrore amerikane, si dhe bazohen tek forcat e SHBA përsa i përket planifikimit dhe drejtimit në misionin e tyre trajnues.

"Ne do të punojmë shumë ngushtë së bashku gjatë muajve në vazhdim për një tërheqje të sigurt, me synime të qarta dhe të bashkërenduar të forcave tona nga Afganistani," tha zoti Blinken.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se e mirëpriste koordinimin për këtë çështje.

"Ne e mirëpresim këtë mundësi për t’u koordinuar dhe konsultuar ngushtë me të gjithë aleatët tanë ndërkohë që jemi dakord lidhur me praninë tonë të ardhshme në Afganistan. Kështu që unë pres të diskutoj me ju si dhe me ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes gjatë ditës së sotme,” tha shefi i NATO-s.

Ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes të NATO-s po diskutojnë ndërkaq planet e tyre përmes video konferencës.

Një diplomat i lartë i NATO-s i tha agjencisë së lajmeve Reuters se asnjë aleat nuk pritet të kundërshtojë njoftimin zyrtar që do të bëjë Presidenti Joe Biden për një tërheqje të plotë të trupave amerikane deri më 11 shtator./voa