Blinken: SHBA-ja duhet të marrë rolin udhëheqës të vaksinimit global

SHBA-ja duhet të marrë rrolin udhëheqës në përpjekjen për vaksinimin e njerëzve në të gjithë botën kundër koronavirusit të ri (COVID-19), deklaroi sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Duke folur në Departamentin e Shtetit, Blinken tha se Washingtoni posedon aftësi unike në shtytjen globale duke filluar nga zhvillimi i vaksinave, deri te formimi i partneriteteve ndërkombëtare private-publike "për të organizuar përpjekjen masive, të qëndrueshme të nevojshme për t'i dhënë fund pandemisë".

"Ky do të jetë një operacion global i paparë", tha kryediplomati amerikan. "Kemi detyrim ndaj vendeve të tjera që virusin ta vendosim nën kontroll këtu në Shtetet e Bashkuara, por së shpejti Shtetet e Bashkuara do të duhet të shtojnë angazhimin dhe të ngrihen në nivel të detyrës në mbarë botën", tha ai.

Aktualisht SHBA-ja ka miratuar tre vaksina mbi baza emergjente për shpërndarje dhe deri më tani ka administruar mbi 167 milionë doza, sipas të dhënave të Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).

Vaksinat Pfizer-BioNTech dhe Moderna, të cilat janë lejuar në SHBA, kërkojnë dy doza të ndara të administruara me një distancë disa javë që një individ të konsiderohet plotësisht i vaksinuar. Vaksina e prodhuesit Johnson&Johnson kërkon vetëm një dozë.

Kandidat i katërt i vaksinës nga AstraZeneca është paraparë që të përballet me një rishikim nga Administratën e Ushqimit dhe Barnave brenda gjysmës së parë të prillit mes raporteve të mpiksjeve vdekjeprurëse të gjakut në kombet që kanë filluar tashmë në masë të madhe administrimin e kësaj vaksine.

Në të gjithë botën, mbi 131 milionë njerëz janë infektuar nga koronavirusi dhe më shumë se 2,8 milionë kanë vdekur, që kur virusi u zbulua për herë të parë në Kinë në dhjetor 2019.

Blinken tha se Washingtoni "nuk do të tregtojë me vaksinat si me armë për favore politike".

"Kjo ka të bëjë me shpëtimin e jetëve. Do t'i trajtojmë vendet tona partnere me respekt. Nuk do të bëjmë premtime të mëdha dhe realizime të vogla. Do të mbajmë standarde të larta për vaksinat të cilat do t'ua shpërndajmë të tjerëve, duke dërguar vetëm ato që janë provuar të jenë të sigurta dhe efektive. Do të këmbëngulim në një qasje të bazuar në barazi", tha Blinken.