Deklarata e Mziut/ Reagon Yuri KIm: Dhuna në Elbasan “nuk mund të justifikohet, nuk duhet të përsëritet”. Udhëheqësit të reflektojnë!

Ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim ka reaguar në lidhje me deklaratën e kandidatit të PD-së për deputet, Xhelal Mziu. Kim ka mbështetur ndjesën që bëri Mziu.

Në një postim në Twitter, Yuri Kim thekson se dhuna në Elbasan “nuk mund të justifikohet, nuk duhet të përsëritet”.

Sipas diplomates, “ky incident nuk duhet të përdoret për të sulmuar me egërsi njërën palë ose tjetrën, për të nxitur emocione në mesin e mbështetësve”, teksa thekson se kjo ngjarje duhet të bëjë “që të gjithë udhëheqësit të reflektojnë se si ata mund ta çojnë këtë Shqipëri larg nga e kaluara dhe drejt një të ardhme më të mirë”.

Më vjen mirë që shoh një ndjesë nga Dibra. Dhuna e shkaktuar në Elbasan këtë javë nuk mund të justifikohet, nuk duhet të përsëritet. Ditët e grupeve të armatosura që mbajnë copën e ndonjë partie politike dhe “patrullojnë” rrugët i përkasin të kaluarës – një e kaluar e shëmtuar që të gjithë duhet ta refuzojmë. Ky incident nuk duhet të përdoret për të sulmuar me egërsi njërën palë ose tjetrën, për të nxitur emocione në mes të mbështetësve. Përkundrazi, kjo duhet të bëjë që të gjithë udhëheqësit të reflektojnë se si ata mund ta drejtojnë këtë Shqipërinë larg nga e kaluara dhe drejt një të ardhme më të mirë.”, shkruan ambasadorja Kim.

Kujtojmë që Xhelal Mziu nga Maqellara bëri të ditur se janë ngritur grupet e gatshme të mbrojtjes së votës dhe se kushdo që do tentonte sipas tij të blejë votën do ta pësonte si “ai në Elbasan”, duke iu referuar konfliktit që degjeneroi në vrasjen e përkrahësit të PS-së, Pjerin Xhuvani.

Kemi ngritur grupet e gatshme. Nga sot e në vazhdim, çdo person i dyshimtë që lëviz në lagjet tuaja, mjafton një telefonatë dhe ai do ta pësojë njësoj si ai i Elbasanit”, kështu do të deklaronte para qytetarëve Mziu.

Por në reagimin e tij pasi deklarata e tij shkaktoi komente të shumta në internet, Mziu thotë se “jam penduar thellë për komentin tim dhe kërkoj ndjesë para gjithë shqiptarëve”.

“Dua të jem i qartë: unë mbështes zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe jam KUNDËR dhunës!”, thekson Mziu në reagimin e tij.