Gjysëm shekulli nga « diplomacia e ping pongut » !

Dr. Jorgji KOTE

 E ashtuquajtura «  diplomaci e ping pongut »  u lançua  në fillim të muajit Prill 1971, si një gjetje  diplomatike amerikano-kineze për të « shkrirë  akujt » politikë drejt afrimit dhe pajtimit epokal.

Në fillimin e viteve 70, të karakterizuara nga fllade liberalizimi dhe kur ish BS-ja po « tregonte muskujt » pas pushtimit të Çekosllovakisë më 1968, SHBA dhe Kina po projektonin një detantë historike midis tyre, çka do ishte me ndikim dekurajues dhe për ish Perandorinë sovjetike.

Një sfidë herkuliane kjo, kur dihet se  PKK bashkë me PPSH-në tonë  i konsideronin SHBA-të si armikun më të madh të popujve dhe socializmit, me të cilët mund të flitej vetëm me gjuhën e pushkës. Mirëpo kjo  ishte «  mision i pamundur « për Kinën e atëhershme në çdo aspekt, ndaj sipas saj ishte më e udhës «  t’i thoje derrit dajë »  Por dhe SHBA-të po «  hiqnin picirin »  në Vietnam në kërkim të një rrugëdaljeje që kalonte po nga Kina.

Shkurt hesapi,  të dy vendet kishin interes të afroheshin politikisht. Vetëm se terreni në të cilën ato vepronin ishte i helmuar dhe i minuar. Imazhi për SHBA-të në Kinë dhe anasjelltas « kishte rënë  për tokë ». E si t’i mbushej  publikut kinez se «  tigri prej letre »  ishte bërë paqësor dhe se me ta mund të bisedohej? Vetëm me turet zyrtare të  Kisingerit, sado diplomat emblematik nuk mund të arrihej diçka e tillë. Veç kësaj, pas vitit 1949 me ndonjë përjashtim tejet të rallë, asnjë zyrtar amerikan nuk kishte shkelur në Kinë.

Mirëpo, siç shprehet ambasadori i famshëm amerikan Thomas Pickering «  nëse arkeologjia zbulon të panjohurën, diplomacia mbulon të njohurën » Pikërisht kjo e fundit  duhej bërë në ato momente historike, por si, me se dhe kur ? Pikërisht për të zgjidhur këtë «  nyje gordiane » u fut në lojë «  diplomacia e ping pongut » Dihet popullariteti i këtij sporti në Kinë që ka qenë dhe mbetet në » olimpin » e tij.

Pavarësisht nga sa thuhet, kjo nuk u bë kështu spontanisht, por si veprim i bashkërenduar i aktorëve dhe  faktorëve madhorë politikë.

Më konkretisht, ekipi amerikan i ping pongut ndodhej në Osaka të Japonisë në Kampionatin e 31 Botëror. Do thënë se ai ishte modest, duke u renditur  i 24 në botë dhe  kishte hequr të zinjtë e ullirit për të gjetur fonde e nevojshme për të shkuar në Japoni.

Pikërisht aty u hodh ideja dhe propozimi  që sportistët amerikanë të ftoheshin për një turne miqësor në Pekin, fill pas mbarimit të Botërorit në Osaka. Fillimisht, kjo kërkesë nga Komiteti Kombëtar Kino-Amerikan nuk u pranua nga udhëheqja kineze. Mirëpo pastaj, ngjarjet muarën rrjedhën e tyre pozitive. Gjithçka u duk se ndodhi krejt spontanisht.  Një ditë, pingponisti amerikan  Glenn Cowan e zgjati jashtë orarit stërvitjen me kinezin Liang Geliang. Çuditërisht, autobuzi i ekipit amerikan ishte larguar, ndaj ai pranoi oferrën e kinezit për të shkuar në hotel me autobuzin kinez.  Udhëtimi zgjati vetëm 15 minuta. Aty Cowan u njoh me tri herë kampionin e botës,  Zhuang Zedong. 10 minutat e para sipas këtij të fundit ata nuk shkëmbyen asnjë fjalë, nga droja dhe frika se çmund të ndodhte pas një bisede të tillë  me një »armik të madh » Pastaj, pastaj Zedong theu rregullin dhe  heshtjen dhe i dhuroi Cowan një krehër karakteristik në shenjë miqësie. Cowan u vu në pozitë, mbasi nuk kishte  dhuratë dhe u detyrua t’i jepte një këmishë me ngjyrë të kuqe, blu e të bardhë si simbol i paqes. Gjatë zbritjes nga autubozi, gazetarët që nuk dihet se si «  mbinë » para hotelit e pyetën ndër të tjera Cowan nëse dëshironte të vizitonte Kinën dhe ai u përgjigj pozitivisht.

Po-ja e tij « mori dhenë » dhe shkoi në veshin e udhëheqjes më të lartë kineze. Të nesërmen, me urdhër të Kryetarit Mao, ekipi amerikan u ftua për një turne miqësor sportiv në Kinë, me të gjitha shpenzimet e mikpritësve. Në këtë ftesë thuhet se ka patur ndikim të madh kampioni kinez. Mao thoshte se « Zedong   njeh mirë jo vetëm marrëdhëniet me jashtë dhe ai ia «  thotë dhe për polittikë »

Kështu, më 6 Prill 1971, 9 lojtarë, 4 zyrtarë dhe dy bashkëshortet e tyre amerikane,  gjithsejt 15 vetë mbërritën në Kinë. Atje ata vizituan Murin e Madh dhe atraksione të tjera të famshme dhe u pritën nga Çu En Lai. Mes një interesim të jashtëzakonshëm, nga data 11 - 17 Prill ata zhvilluan disa ndeshje miqësore me ekipin mikpritës, sipas parimit kinez  « miqësia e para, gara e dyta »

Për herë të parë publiku në masë pa të ndesheshin në tavolinat e pîng pongut lojtarët e  dy vendeve armiq. Pas ndeshjeve dhe intervistave me frymë miqësore ndaj njeri tjetrit, filloi të krijohej ideja dhe imazhi se armiqët nuk qënkërkan dhe aq të këqinj sa thuhet, se me ta mund të luash dhe e bisedosh më mirë se sa të grindesh e të luftosh.

Jehona e këtij turi ping pongu ishte e menjëhershme, planetare dhe me fryte; fill pas atyre ndeshjeve shkoi në Kinë Kisinger, Kina u pranua në OKB dhe në shkurt 1972 u bë hapja e tyre me vizitën historike të Presidentit Nikson në Pekin. Kryetari Mao e sintetizoi këtë diplomaci  duke thënë  se  «  topi i vogël i hapi rrugën topit të madh »  Pas  vizitës së Nikson në Pekin, në prill 1972 shkoi në SHBA ekipi kinez, duke e mbajtur të gjallë këtë traditë pozitive që bëri epokë. Në 9 Qershor 2008 ekipet u ndeshën në sallat e  Bibliotekës së Presidentit Nikson.

Eshtë interesant të përmendet se Presidenti i Shoqatës amerikane të Ping Pingut,  Randford Harrison, që kishte kryesuar delegacionin amerikan në Kinë disa muaj më parë donte që e njëjta histori suksesi të përsëritej dhe me Shqipërinë, me shpresën se duke qenë aleate me Kinën e do të ndiqte shembullin e saj.  Më 14 Janar 1972, ai  shkoi në Misionin tonë pranë OKB-së në Nju Jork me kërkesën për të vizituar Shqipërinë, pas vizitës në Beograd. Mirëpo ndryshe nga Pekini, me Tiranën «  i ngeci sharra në gozhdë. » Dihet se prishja me Kinën filloi të shfaqej pikërisht  kur doli në skenë «  diplomacia e ping pongut » e cila i çeli rrguën vizitës së Niksonit në Pekin e që u demonizua nga Enver Hoxha. Ja pse, të përmendje ping pongun në Tiranë ishte si të kujtoje djallin!  Madje, dihet se ekipet tona sportive  nuk pranonin të luanin me ekipet e SHBA-ve, BS-së, Izraelit dhe Afrikës së Jugut!

Tani, të kuptohemi, nuk është se kjo diplomaci vendos apo dikton, sepse bëhet fjalë për interesa dhe pengesa strategjike ; por ajo ndihmon shumë në krijimin e terrenit, mjedisit, klimës, atmosferës dhe imazhit, si ingredientë të domosdoshëm për sukses të vërtetë dhe të qëndrueshëm ; ose ato janë ‘ fryma » janë «  soft » pa të cilat «  gërma » dhe « hard » nuk mund të ecin.

Megjithë demarsheye mëvonshme, asnjë disiplinë tjetër sportive, nuk ia ka arritur të shënojë dot  suksesin e ping pongut në diplomaci, veç rezultzteve të pjesshme. Kështu,  « diplomacia e futbollit » dha frytet e veta më 2009 në rihapjen e kufirit dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Turqisë dhe Armenisë. Fati e desh që të ekipet e tyre të sihn në të njëjtin grup të eliminatoreve për në Botërorin e Arikës së Juut më 2010. Mirëpo, në kuadrin e marrëdhënieve që është pak të thuhet të tendosura mes tyre, për shkaqe historike, kur as ndeshet nuk kishte garanci se do të zhvilloheshin, u «  fut në lojë «  pikërisht sporti. Të dy presidentet asistuan në stadiumet e njeri tjetrit të shoqëruar nga mijra tifozë; atmosferë e krijuar i çeli rrugën miratimit nga të dy vendet të një Udhërrëfyesi për njohjen e ndërsjellë dhe rihapjen e kufive, çka ishte jetike sidomos për Armeninë e mbyllur.

Ndryshe nga ato dy vende, ndodhi me diplomacinë e futbollit më 31 Mars 2021 në ndeshen Spanjë - Kosovë për eliminatoret e Botërorit 2002. Në vend të shërbente për një farë afrimi sado të vogël të pozicionit kundërshtues spanjoll ndaj njohjes së Kosovës, sjellja e autoriteteve spanjolle e distancoi dhe më tej atë në publik; aq sa as  emri Kosovë nuk u shënua i plotë dhe nuk u lejuar të përmendej nga komentatorët gjatë ndeshjes.  Absurde, sepse kur luan me një ekip, duhet t’i përmendesh emrin dhe një historik të shkurtër; pastaj thuaja publikut që Spanja nuk e njeh !» Ndryshe, i jep të drejtë  pohimit të  George Orwell se  « Futbolli është luftë minus të shtëna «

Rasti më i fundit pozitiv i ndihmës plotësuese që jep diplomacia sportive në proceset delikate politike ishin Lojrat Olimpike Dimërore në Seul në shkurt 2018. Gjithë bota e pa se në parakalimin ceremonial në çeljen e tyre, të dy Koretë u përfaqësuan me ekip të përbashkët ashtu si dhe në disa disiplina të tjera sportive. Aty pati dhe shtrëngime duarsh mes motrës së Kim Jong un dhe drejtuesve të lartë amerikanë e koreanojugorë. Disa muaj më vonë Ish Presidenti Trump shkeli në tokën koreanoveriore gjatë vizitës në Paralelen 38. Natyrisht nuk mund të pritej më shumë, sepse dihet problematika e nxehtë në atë zonë. Veç kësaj, politika amerikane mendoi të bënte një ujdi «  blitz » çka nuk ishte fare realiste, por thjesht shfaqje e dëshirës së mirë ( wishful thinking)

Së fundi, edhe sot, në kushtet tejet të ndërlikuara në skenën gjeopolitike  botërore, diplomacia 50 vjeçare e Ping Pongut, si pjesë përbërëse e diplomacisë së kulturës/sportive dëshmon qartë  se objektivat e politikës së jashtme të një vendi, të madh e  të vogël,  mund të realizohen me sukses  vetëm kur diplomacia zyrtare ve në lëvizje, bashkëpunon dhe «  hedh në fushën e lojës » me fantazi, në mënyrë krijuese dhe sipas kushteve e rrethanave specifike  dimensionet e tjera  publike, ekonomike dhe kulturore, ku sporti ka vendin e vet të veçantë. Sa për forcën ushtarake, siç thotë emblematiku Abraham Lincoln, vërtet ajo «  të nxjerr  fitimtar, por fitoret e saj janë jetëshkurtër »

/argumentum.al

© Argumentum