Individët rritën kërkesën për kredi në tremujorin e parë të këtij viti

Sipas vrojtimit të aktivitetit kreditues të Bankës së Shqipërisë me bankat tregtare, kërkesa e individëve për hua u perceptua sërish në rritje, si për kredi konsumatore, ashtu edhe për blerjen e banesave.

Sipas gjykimit të bankave, kërkesa më e lartë për kredi nga individët ishte pasojë e nevojave më të larta për financimin e konsumit dhe blerjen e banesave, e përmirësimit të besimit konsumator, si edhe e zhvillimeve aktuale e të pritura në tregun e banesave.

Pavarësisht krizës, kredia për individët ka vijuar rritjen e qëndrueshme, e nxitur sidomos nga kredia për blerjen e banesave. Në fund të muajit shkurt, portofoli i kredisë për individë ishte në rritje vjetore me 6.3%, ndërsa segmenti i kredisë për blerje banesash rritja është 9.2%. Edhe në tremujorin e dytë të vitit 2021, bankat presin kërkesë më të lartë për kredi nga ana e individëve, si për blerje pronash, ashtu edhe për financimin e konsumit. Për sa i takon biznesit, në tremujorin e parë të vitit kërkesa për kredi u raportua më e lartë në segmentin e biznesit të madh dhe më e ulët në atë të mesëm e të vogël.

Sipas qëllimit të përdorimit, kërkesa për kredi ishte më e lartë si në mbulimin e nevojave për likuiditet, ashtu edhe në financimin e investimeve në tremujorin e parë.

Në këndvështrimin e bankave, në kahun nxitës të kërkesës për kredi ndikuan nevojat më të larta për financimin e inventarëve dhe kapitalit qarkullues, por edhe investimeve fikse dhe ristrukturimit të borxheve ekzistuese. Niveli aktual i normave të interesit ndikoi po ashtu në shtimin e kërkesës për kredi gjatë këtij tremujori.

Përtej faktorëve të zakonshëm që ndikojnë në zgjerimin e kërkesës për kredi, skemat e garancive sovrane ofruar nga qeveria për të zbutur efektet negative nga COVID-19, vijuan të raportohen si faktor nxitës i kërkesës për kredi nga ana e bizneseve edhe gjatë këtij tremujori. Në kahun rënës të kërkesës për kredi u raportuan situata aktuale ekonomike e perspektiva e saj, besimi i biznesit, si edhe përdorimi më i lartë i burimeve të brendshme të financimit.

Bankat presin një kërkesë të shtuar për kredi nga ana e bizneseve në tremujorin e dytë vitit 2021.

Kërkesa më e lartë për kredi pritet të jetë më shumë e përqendruar në financimin e nevojave për likuiditet dhe në segmentin e biznesit të madh.

Në dy muajt e parë të vitit 2021 sektori bankar dha 25.8 miliardë lekë kredi të re, 21% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Rënia e kredisë së re gjatë këtyre dy muajve ka ardhur kryesisht për shkak të volumeve më të ulëta në segmentin e biznesit, ndërsa për individët kreditimi ngelet i qëndrueshëm, në vlera të ngjashme me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar./monitor