Integrimi Euro-Atlantik, ky « specialitet » i opozitës!

DR. Jorgji KOTE

Gjatë kësaj fushate zgjedhore ka rënë në sy mostrajtimi pothuajse fare i integrimit europian nga shumica qeverisëse; ca më keq akoma, pa ndonjë indikacion apo premtim të qartë, me 15 kushtet që na qëndrojnë « si çekan mbi kokë ». Kjo mesa duket sepse asaj vërtet « i ka ngecur sharra në gozhdë » me çeljen e negociatave në 7 vitet e fundit. Apo se siç thonë « në vendin e të varurit mos përmend litarin» E kundërta ngjet me PD, LSI dhe aleatët e tyre që e kanë evidentuar fort dhe me theks të veçantë NDRYSHIMIN dhe në këtë fushë jetike. Madje, lideri demokrat Lulzim Basha ka shkuar dhe më tej, duke e shpallur publikisht që nëse fiton më 25 Prill, do të bëjë të mundur çeljen e negociatave brenda 100 ditëve të para të qeverisë së tij; në vijim antarësimi në BE, si kryeobjektivi më afat-gjatë.
Në këtë situatë, përfaqësuesit e shumicës i kanë zëvendësuar dhe kompensuar mosarritjet, deficitet dhe mungesën e alternativave integruese me sulme dhe insinuata të pandershme politike, duke e quajtur opozitën të paaftë dhe në këtë fushë.

Mirëpo, mjafton dhe një krahasim objektiv siç po e bëjmë më poshtë i performancës së tyre lidhur me këtë përparësi absolute në 30 vitet e fundit për të nxjerrë në pah epërsinë e dukshme të opozitës së bashkuar. Këtu po shkruaj i lirë nga çdo konflikt interesi partiak, kryesisht mbi bazën e njohjes së kësaj tematike dhe përvojës si diplomat aktiv në fillimin e viteve 90 e sidomos në periudhën 1997 – 2017, kur shërbeva 5 vjet në Ambasadën tonë në Berlin dhe 10 të tjera në Bruksel. Më konkretisht:
Vërtet që Shqipëria rivendosi marrëdhëniet diplomatike me SHBA dhe BE më 15 Mars 1991; ama kjo do të ishte e pamundur pa rolin e PD-së së atëhershme në opozitë. Ndaj në Uashington, në ceremoninë e nënshkrimit, krahas ish Ministrit të Jashtëm Muhamet Kapllani, në sallë ishin të ftuar nga pala amerikane dhe dy liderët e opozitës, Berisha dhe i ndjeri Pashko. Po kështu, vendosja e këtyre marrëdhënieve me BE-në dhe antarësimi në OSBE më 22 Qershor 1991, në vijim me FMN dhe Bankën Botërore në shtator 1991 i dedikohen shumë dhe rolit/pranisë së PD-së.
Më tej, në Prill 1992, qeveria Meksi nënshkroi të parën Marrëveshje ekonomike dhe financiare me BE-në; po atë vit, ajo bëri e para kërkesën zyrtare për antarësim në NATO; Sekretari i saj i Përgjithshëm, i ndjeri Manfred Verner vizitoi Shqipërinë pak më vonë me mesazhe mbështetjeje.

Më tej, më 13 Korrik 1995, u pranuam më Këshillin e Europës, ndërsa një vit më vonë ishim në prag të nënshkrimit të një Marrëveshje Asociimi me BE-në. Për fat të keq, ky fillim i hovshëm premtues Euro-Atlantik u ndërpre pas trazirave dhe rënies së shtetit më 1997, ku qeveria e atëhershme e PD-së u ndëshkua « me karton të kuq » për të gjitha fajet dhe përgjegjësitë e njohura.

Megjithatë, si në opozitë gjatë periudhës 1997 – 2005 por sidomos pas riardhjes në pushtet më 2005 – 2013, PD dhe LSI, bashkë dhe veç e veç, vazhduan kursin e tyre pro – integrues, duke bërë dora dorës dhe korrigjimet e gabimeve të mëparshme. Kështu, më 6 Qershor 2006 u nënshkrua në Luksemburg Marrëveshja e Stabilizim – Asociimit; në fakt, ajo ishte bërë teknikisht gati qysh gjatë qeverisjes socialiste. Mirëpo, mungesa e besueshmërisë ndaj saj për shkak të korrupsionit dhe të këqiave të tjera e shtynë atë proces.

Tejet e rëndësishme për t’u nënvizuar është se në vitin 2007, qeveria e atëhershme, si pjesë të rëndësishme të integrimit Euro – Atlantik, intensifikoi demarshet diplomatike për shpalljen dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës në të gjitha format dhe formatet, përfshi mbështetjen financiare dhe juridike.

Padyshim që arritja më e madhe politike spektakolare ishte vizita historike në Tiranë, më 10 Qershor 2007 e G.W.Bush; i pari dhe i vetmi President amerikan në detyrë që ka vizituar vendin tonë, me dy mesazhet e fuqishme për pranimin tonë në NATO dhe Pavarësinë e Kosovës ; për këtë të fundit me pohimin emblematik « Enough is enough! » ose « Boll më » !!

Nuk vonoi dhe më 4 Prill 2009 Shqipëria u antarësua në NATO ; padyshim ajo u arrit falë mbështetjes së madhe të SHBA-ve dhe aleatëve tanë ; por kjo do ishte e pamundur pa punë dhe kontakte të panumurta në të gjitha nivelet nga qeveria e atëhershme Berisha. Kush ka punuar me institucione ndërkombëtare e sidomos me NATO-n dhe BE-në, e di mirë se sa shumë mund e punë duhet! E pse të mos theksojmë këtu dhe rolin e ish Ministrit të Jashtëm të asaj kohe, Lulzim Basha!

Fill pas ngritjes së flamurit kombëtar në selinë e NATO-s në Bruksel, Kryeministri Berisha shkoi në Pragë, ku i dorëzoi Presidencës çeke kërkesën zyrtare për antarësim në BE.

Gjithsesi, pas antarësimit në NATO, arritja më e madhe dhe më e prekshme për këdo, të madh e të vogël, ishte dhe mbetet liberalizimi i vizave me BE-në, në dhjetor 2010. Për realizimin e këtyre objektivave madhore, politika dhe diplomacia jonë e asaj kohe hapi kudo plot » sheshe ndërtimi » duke plotësuar jo 15, por 150 kushte dhe kërkesa !
Në vijim, më 2012 u tentua të fitohej statusi kandidat dhe çelja e negociatave me BE-në. Ajo tentativë dështoi për shkak të bllokimit të padrejtë, pavarësisht nga rezervat të opozitës së atëhershme. Tani shkaqe dhe kusure për bllokim te ne mund të gjesh sa të duash, sidomos protesta e 21 Janarit 2011. Gjithsesi, me një vizion më kurajoz, ajo situatë mund të ishte kaluar dhe sot ndoshta do të ishim shumë përpara ; madje, shumica e tanishme mund dhe t’i kishte përfunduar negociatat! Mirëpo, kështu ndodh kur ndjek « metodën e stërkëmbëshave » ose kur mendon se në BE do të hyjë vetëm partia apo diplomacia dhe jo gjithë Shqipëria!

Tani, pa « i hyrë fare në hak », le të shohim konkretisht performancën e PS-së. Po, më 1995 ajo tregoi emancipim politik kur edhe pse me liderin e saj në burg të padrejtë e dha konsensusin për antarësimin në KiE ; po ashtu më 2009 për pranimin tonë në NATO, edhe pse kjo e fundit dukej më tepër si « bonus » për marrëveshjen Rama – Berisha më 1 Prill 2009, duke anashkaluar dhe shpërthimin e Gërdecit, për të cilin sot shumica vazhdon « të bërtasë »
Duke u kthyer disi më prapa në kohë, në Prill 1999, nën drejtimin e qeverisë socialiste filloi Procesi historik i Stabilizim – Asociimit me BE-në; pati disa demarshe premtuese lidhur me antarësimin në NATO, etj. Për hir të së vërtetës në atë kohë ishte Kryeministër zoti Ilir Meta, i vlerësuar dhe nga komuniteti ndërkombëtar për nismat dhe seriozitetin e shfaqur në integrimin Euro-Atlantik, që ai i ka vazhduar t’i shfaqë dhe në postet e tjera më të larta.
Mirëpo, këto përpjekje u lanë në hije dhe u sfumuan pas grindjeve të brendshme në PS-në e asaj kohe, çka shkaktoi dhe shtyrjen e çeljes së negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim – Asociimit. Ato rifilluan vetëm më 31 Janar 2003, pas vizitës dhe ndërhyrjes personale të ish Presidentit të Komisionit Europian, Romano Prodi. Siç u përmend më lart, ndonëse ishte gati, ajo Marrëveshje u nënshkrua pas ardhjes në pushtet të PD-së, në qershor 2006.

Për fat të keq, pas vitit 2013, ndryshe nga shpresat dhe pritshmëritë e premtuara, hapat dhe arritjet drejt integrimit europian « numërohen me gishta » Vërtet që në qershor 2014 na u dha statusi kandidat që ishte pothuajse gati, por vetëm aq. Për fat të keq, pas tetë vitesh në pushtet të PS-së, jo vetëm nuk u çelën negociatat, por procesi është vështirësuar së tepërmi nga përshkallëzimi i kushteve ndaj nesh. Kjo odise e vërtetë filloi me përshkallëzimin e tyre progresiv; nga 3 në 5, Bundestagu i shtoi në 9, të tjerët në 12 plus dhe tre të tjera nga Holanda dhe Greqia derisa u bënë plot 15 kushte, kërkesa apo kritere, quaji si të duash! Praktikisht, ato e kanë bërë çeljen e negociatave « një vrapim të gjatë me pengesa » Sa dhe vetëm kur i lexon, thua me vehte « hiç, hiç, po Abili vdiq »
Por, ajo që e bën dhe më të zymtë gjendjen është se kjo shumicë u « ka bërë dalje » negociatave, duke « e hedhur topin e tyre në fushën e Brukselit » e duke fajësuar të tjerët brenda dhe jashtë vendit- opozitën, median dhe vende aleate të BE-së, të cilat na janë ndodhur pranë dhe këto 30 vitet e fundit. Ndërkohë, qeveria « sheh qimen te tjetri në Paris, Hagë e gjetkë, por jo traun që i ka rënë para syve » në Tiranë.

Për pasojë, askush brenda e sidomos jashtë vendit nuk ta thotë ende dot se kur mund të çelen negociatat; por na qetësojnë me eufemizmin diplomatik që nuk të thotë gjë « ASAP ose në shqip « sa më shpejt të jetë e mundur » Kështu, edhe Kryenegociatori me ekipin e tij po bëjnë gati një vit që « presin në stol » duke na kujtuar proverbin « Peshku në det, tigani në zjarr » Për pasojë dhe ndonjë arritje diplomatike e vitit të kaluar, si kryesimi i OSBE-së, hapja e bazës ushtarake në Kuçovë, etj megjithë rëndësinë e tyre nuk e ngrenë dot shumë « pjacën » dhe « stekën » e PS-së në këtë fushë.

Ja pse, pa paragjykuar rezultatin e 25 Prillit, mund të thuhet se riardhja në pushtet e opozitës së bashkuar nuk përbën problem e ca më pak pengesë ; përkundrazi, ajo i ka të gjitha kushtet, përvojën dhe mundësitë për të përshpejtuar procesin e antarësimit në BE, duke filluar me çeljen e negociatave.

Natyrisht që suksesi në këtë integrim nuk është « fjalë goje » ; ai përmban dhe kërkon realizimin e një mori objektivash, shifrash, aktesh, strategjish dhe demarshesh të shumta në politikën e jashtme, me sjelljen e duhur politike dhe me theks nga brenda. Pikërisht kjo e fundit është lënë pas dore vitet e fundit. Mirëpo siç shprehet ish – Kryeministri emblematik britanik William E. Gladstone « parimi i parë në politikën e jashtme është mirëqeverisja e brendshme » Veç kësaj, nëse vjen në pushtet, opozita duhet të sillet krejt ndryshe me brenda dhe me jashtë. Ashtu sikurse dhe nëse kalon në opozitë, PS-ja duhet të ndryshojë detyrimisht sjelljen politike dhe të bashkëpunojë me shumicën e re./gsh