Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë uron Presidenten e Republikës së Kosovës, Shkëlqesinë e saj, Zonjën Vjosa Osmani – Sadriu

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë uron Presidenten e zgjedhur te Republikës së Kosovës , Znj. Vjosa Osmani. "Ju mishëroni tashmë shpresën e mbarë shoqërisë kosovare e sidomos të rinisë për ta ndërtuar jetën në një atdhe jo vetëm të lirë e të pavarur, por edhe të begatë, ku zhvillohet me vendosmëri demokracia dhe zgjerohen pareshtur të drejtat e njeriut. Kjo shpresë frymëzuese lidhet me aspiratën e shenjtë të popullit të Kosovës për të përparuar me shpejtësi në rrugën e integrimeve euroatlantike, duke forcuar ditë pas dite miqësinë me SHBA dhe Bashkimin Europian", thuhet ndër të tjera në këtë mesazh urimi nga KASH.

E nderuar Zonja Presidente,

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë dhe unë personalisht ndoqëm me vëmendje të veçantë seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, gjatë së cilës Ju u zgjodhët Presidente e Republikës.

Për ne përbënte lajm të gëzueshëm përmbyllja e procesit të ngritjes së institucioneve shtetërore të dala nga vullneti i popullit nëpërmjet zgjedhjeve të fundit. Rrënjosja e kulturës demokratike hodhi kështu një hap të rëndësishëm përpara.  Ju lutem të pranoni përgëzimet dhe urimet tona nga zemra për suksese.

Ne, anëtarët e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë kemi besim të plotë në aftësitë, në përkushtimin, në integritetin dhe në vizionin tuaj për të luajtur rolin historik që ju besuan qytetarët e Kosovës dhe që ju cakton Kushtetuta e Republikës.

Ju mishëroni tashmë shpresën e mbarë shoqërisë kosovare e sidomos të rinisë për ta ndërtuar jetën në një atdhe jo vetëm të lirë e të pavarur, por edhe të begatë, ku zhvillohet me vendosmëri demokracia dhe zgjerohen pareshtur të drejtat e njeriut.

Kjo shpresë frymëzuese lidhet me aspiratën e shenjtë të popullit të Kosovës për të përparuar me shpejtësi në rrugën e integrimeve euroatlantike, duke forcuar ditë pas dite miqësinë me SHBA dhe Bashkimin Europian.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë përfiton nga rasti për t’Ju siguruar Ju, e dashur Zonja Presidente dhe, nëpërmjet Jush, për të siguruar Kuvendin e Kosovës dhe Qeverinë e saj se do të jetë gjithnjë i gatshëm për t’iu mbështetur në reformat thelbësore, që do të ndërmerrni. Mundësitë tona janë modeste, por dëshira jonë për të qenë të dobishëm me përvojën tonë është shume e madhe.

Duke Ju siguruar për vlerësimin tonë të lartë,

Besnik Mustafaj
Presidenti i Këshillit i Ambasadorëve Shqiptarë