Komiteti Teknik/ Nga nesër zgjatet ora policore deri në 22:00. Vijon online arsimi parauniversitar dhe universitar,

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaroi sot në mbledhjen me Komitetin Teknik të Ekspertëve, disa ndryshime në protokollin mbrojtës anti-Covid.

Ora e lejuar e qarkullimit do të zgjatet me dy orë; duke filluar prej ditës së hënë (12 prill) qytetarët do të lëvizin lirisht nga ora 06:00 deri në  22:00 të mbrëmjes. Kjo fashë orari do të aplikohet edhe për aktivitetin e bareve dhe restoranteve, theksoi Manastirliu.

“Në vlerësim të situatës së 6 javëve të fundit Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur zgjatjen e orës së lejuar të qarkullimit të qytetarëve deri në orën 22:00 të mbrëmjes duke filluar nga dita e nesërme data 12 Prill. Po kështu aktiviteti i bareve dhe restoranteve. Do të vijojë të mbeten në fuqi të gjitha masat e orës police nga ora 22:00- 06:00 të mengjesit.

Sa i takon mësimit online, do të vijojë si për arsimin parauniversitar dhe universitar, duke përjashtuar maturantët.

“Gjithashtu duke marrë në konsideratë përmirësimin e ndjeshëm të situatës së epidemisë në Mbretërinë e Bashkuar, një shtet i cili ka pasur një ecuri shembullore sa i përket vaksinimit, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka propozuar rihapjen e fluturimeve me këtë shtet”, shtoi ajo më tej.

Ndërkohë Manastirliu u ka bëri apel qytetarëve të vijojnë zbatimin e masave anti-COVID edhe në këtë muaj të Ramazanit.

Manastirliu mëshoi se ndryshimet lehtësuese në masat anti-Covid po vijojnë si rezultat i rasteve në rënie, ndërsa u bëri apel qytetarëve të vijojnë zbatimin e tyre.

Vendimet e marra në kuadër të luftës ndaj pandemisë Covid-19, do të jenë në fuqi për dy javët e ardhshme.