Komuniteti Mysliman i Shqipërisë: VOTA është e shtrenjtë, shitja apo blerja e votës, është përçmim për dinjitetin njerëzor!

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë pas mesazhit te Kishes Katolike per zgjedhjet e 25 prillit,  i është bashkuar  thirrjes  “Mos e shit Voten”.

Në deklaratën e KMSH-së thuhet se shitja apo blerja e votës, përçmim për dinjitetin njerëzor.

”Ne dëshirojmë që fushata elektorale të kalojë e qetë dhe korrekte. Ju kujtojmë gjithë qytetarëve shqiptarë se, shitja apo blerja e votës, veç të tjerave, është edhe përçmim për dinjitetin njerëzor, ruani dinjitetin njerëzor pasi është amanet nga Zoti”.

Po ashtu KMSH këshillon votuesit që të shprehin qëndrimin ndaj alternativës që dëshirojnë, me vullnet të lirë, pa u intimiduar nga askush e pa u intimiduar. ”Ne urojmë dhe dëshirojmë që zgjedhjet e 25 prillit të jenë një hap përpara për Shqipërinë drejt integrimit europian, të jenë të lira dhe të ndershme dhe verdikti i popullit të lexohet e të pranohet nga të gjitha palët! I lutemi Zotit që produkti i këtyre zgjedhjeve të jetë legjitim, i drejtë dhe i hajrit për popullin tonë”.

Deklarata e plotë

Qëndrimi i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë për zgjedhjet e 25 prillit 2021. Të dashur qytetarë, urojmë që të keni një agjërim të lehtë dhe të pranuar te Zoti i Gjithësisë! Ne gjendemi në Muajin më të rëndësishëm të vitit, Muajin e Bekuar të Ramazanit, muaji i pastrimit, faljes, mëshirës dhe begatisë së pafundme Hyjnore.

Motra dhe vëllezër, vendi ynë ndodhet gjithashtu në një proçes tepër të rëndësishëm, siç është fushata elektorale për zgjedhjet e 25 prillit 2021. Qëndrimi ynë për përkatësitë politikë është si gjithmonë, NEUTRAL, por ajo që është e rëndësishme për ne, është procesi.

Ne dëshirojmë që fushata elektorale të kalojë e qetë dhe korrekte. Ju kujtojmë gjithë qytetarëve shqiptarë se, shitja apo blerja e votës, veç të tjerave, është edhe përçmim për dinjitetin njerëzor, ruani dinjitetin njerëzor pasi është amanet nga Zoti.

VOTA është shumë e shtrenjtë, ajo nuk duhet të shitet, as të blihet. Shprehni qëndrimin tuaj ndaj alternativës që dëshironi, me vullnet të lirë, pa u intimiduar nga askush e pa intimiduar ju askënd!

Ne urojmë dhe dëshirojmë që zgjedhjet e 25 prillit të jenë një hap përpara për Shqipërinë drejt integrimit europian, të jenë të lira dhe të ndershme dhe verdikti i popullit të lexohet e të pranohet nga të gjitha palët! I lutemi Zotit që produkti i këtyre zgjedhjeve të jetë legjitim, i drejtë dhe i hajrit për popullin tonë.
Amin!