Kosova midis zgjedhjes së presidentit dhe zgjedhjeve të reja

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të shtunën se ata që nuk e mbështesin zgjedhjen e presidentes së vendit mund ta çojnë atë në zgjedhje të reja, duke ritheksuar qëndrimin e partisë së tij që doli fituese në zgjedhjet e 14 shkurtit të këtij viti, që në këtë post të zgjidhet kandidatja e saj, Vjosa Osmani.

Në një postim më të gjatë rreth zhvillimeve të fundit politike, kryeministri Kurti tha se partia e tij nuk dëshiron ta çojë vendin në zgjedhje të sërishme “sepse ne duam ta zgjedhim Presidenten e re. Ata që nuk e duan zgjedhjen e Presidentes, ata që nuk e duan Presidenten, që kanë bërë e po bëjnë luftë speciale kundër saj, mund ta çojnë vendin në zgjedhje. Me zgjedhjen e tyre ata i kanë zgjedhjet në dorë: ose mbi 80 vota në kuti për Vjosa Osmanin, ose mbi 500 mijë vota në kuti për Lëvizjen Vetëvendosje”!

Komentet e tij pasuan dështimin e një natë më parë të lëvizjes Vetëvendosje për të siguruar numrin e mjaftueshëm të votave për të miratuar në procedurë të përshpejtuar ndryshimin e ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, kërkesë që u hodh papritmas të premten duke nxitur shumë reagime e pakënaqësi të opozitës.

Kërkesa u hodh në një seancë të jashtëzakonshme në orët e mbrëmjes por nuk kaloi meqë opozita votoi kundër.

Lëvizja Vetëvendosja tha se ndryshimi i ligjit për zgjedhjet është një detyrim elektoral për t’i mundësuar diasporës votimin nëpër ambasada. Në zgjedhjet e 14 shkurtit Vetëvendosje mori 75 për qind të votave të mërgimtarëve të hedhura nëpërmjet postës.

Kërkesa u kundërshtua ashpër nga partitë opozitare dhe organizatat për vëzhgimin e zgjedhjeve, që e cilësuan atë si nismë të ngutshme dhe përpjekje për shantazh ndaj partive tjera politike para votimit për presidentin e Kosovës.

Lidhja Demokratike e cila është zotuar të marrë pjesë në votimet për presidentin e ri, i bëri thirrje kryeministrit Kurti ta tërheq kërkesën, ndryshe, do të jetë përgjegjës për çuarjen e vendit në zgjedhje të reja.

Partitë tjera opozitare thanë se ndryshimet në ligjin për Zgjedhjet janë të domosdoshme, por nxitimi i lëvizjes Vetëvendosje që kjo të ndodhë në mënyrë të përshpejtuar, është i panevojshëm dhe i dëmshëm.

Kryeministri Kurti shkroi mes tjerash të shtunën se projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme “nuk është i befasishëm dhe as pa plan. Ky projektligj ka qenë prioritar dhe ka marrë mbështetjen e qytetarëve të Republikës brenda dhe jashtë Kosovës. Andaj miratimi i këtij Projektligji është i duhur e i drejtë, i mirë e i dobishëm. Nëse jo me procedurë të përshpejtuar, ndonëse kemi humbur shumë kohë, atëherë me procedurë të rregullt. Gjithçka në mënyrë ligjore, për ta përmirësuar një ligj kaq të rëndësishëm”, shkroi ai, duke lënë të nënkuptohet se nuk do të përmbushet kërkesa e opozitës për tërheqjen e tij.

Këto zhvillime duket ta kenë bërë më sfiduese zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, një proces që duhet të përmbyllet brenda pak ditësh.

Lëvizja Vetëvendosje tha se janë paraqitur dy kandidatura për këtë post: Vjosa Osmani dhe Nasuf Bejta, që kishte kandiduar në zgjedhjet e 14 shkurtit në listën e lëvizjes Vetëvendosje. Pjesëmarrja në votim e dy e më shumë kandidatëve, është e domosdoshme në mënyrë që të mund të fillojë procedura për zgjedhjen e presidentit.

Sipas Kushtetutës, është e domosdoshme që në votimet për presidentin të marrin pjesë dy të tretat e deputetëve në parlamentin 120 vendesh. Në dy raundet e para të votimit duhen 80 vota, ndërsa në raundin e tretë, presidenti mund të zgjidhet me shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në votim duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.

Partia Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë hedhur poshtë mundësinë që të votojnë kandidaten e lëvizjes Vetëvendosje për këtë post, Vjosa Osmani, ndërsa Lidhja Demokratike, është zotuar se do të marrë pjesë në votimet për presidentin e ri, por të premten mbrëma kjo u vu në pikëpyetje. Pa votat e Lidhjes Demokratike zgjedhja mund të dështojë dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.

Që nga përfundimi i zgjedhjeve edhe diplomatët perëndimor kanë bërë thirrje që të shmanget një mundësi e tillë në një periudhë kur Kosova përballet me situatë të rëndë shëndetësore e ekonomike për shkak të pandemisë së COVID-19./Voa