Kosovë, sot mbahet seanca e jashtëzakonshme për votimin e Presidentit/ Kurti: Nëse nuk zgjidhet presidenti atëherë shkohet në zgjedhje.

Lëvizja Vetëvendosje ka grumbulluar sot nënshkrimet për të thirrur seancën e jashtëzakonshme ku do të votohet për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës.

Seanca për votimin e presidentit pritet të mbahet pas përfundimit të seancës së Kuvendit që është duke u zhvilluar aktualisht, raporton gazetaexpress.

Vetëvendosje ka grumbulluar 40 nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e seancës ku do të votohet për zgjedhjen e Vjosa Osmanit si kryetare e shtetit.

Kurti në fjalën e tij tha se nëse nuk zgjedhet presidenti për t’u përfunduar konstituimi i institucioneve atëherë shkohet në zgjedhje.

“Është e domosdoshme që të kemi konstituimin e institucioneve dhe atë të presidentit, në mënyrë që të kemi mandatin 4 vjeçar, përndryshë shkojmë në zgjedhje”, tha Kurti.

Kandidate për postin e presidentes është Vjosa Osmani, e cila në zgjedhjet e 14 shkurtit garoi bashkë më listën për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, duke fituar mbi 300 mijë vota.

Më 22 mars, 2021 u konstituua Kuvendi i ri dhe po të njëjtën ditë u zgjodh edhe Qeveria e re e Kosovës në krye me Albin Kurtin e Lëvizjes Vetëvendosje. Qeveria e tij u mbështet nga 67 deputetë.

Ndryshe, ende nuk dihet se kur do të mbahet seanca për zgjedhjen e presidentit. Më herët gjatë të martës, shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila tha se për thirrjen e kësaj seance duhen nënshkrimet e 45 deputetëve.

Për zgjedhjen e presidentit, në dy votimet e para nevojiten dy të tretat e votave e që i bie 80 vota për të deputetëve.

Ndërkaq, në raundin e tretë, president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në të tri votimet duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.

Nëse edhe raundi i tretë dështon, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

LVV-ja ka 58 ulëse në kuvend, kurse Lidhja Demokratike e Kosovës i ka 15.

Partia Demokratike e Kosovës, parti kjo në opozitë tashmë ka qëndrimin e saj se nuk do ta votoj Vjosa Osmanin për presidente, ashtu siç nuk e ka votuar as Qeverinë Kurti 2. Edhe partia tjetër opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se nuk do ta mbështesë Osmanin për postin e presidentit.

Pro votimit të Osmanit janë deklaruar komunitetet joserbe.