Kryenegociatori Zef Mazi, vizitë zyrtare në Budapest/ Qëndrim i palëkundur i Hungarisë në mbështetje të zgjerimit të BE-së me Shqipërinë

Kryenegociatori Zef Mazi dhe delegacioni që e shoqëronte zhvilloi dje një vizitë pune në Budapest. Ai u prit dhe zhvilloi konsultime me Sekretarin e Shtetit për Evropën në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Tregtisë, Peter Sztaray dhe stafin e tij, drejtorët e Departamenteve të Zgjerimit të BE dhe të Ballkanit Perëndimor; me ministrin e Shtetit për  Çështjet Europiane në Ministrinë e Drejtësisë, Oskar Okros, dhe stafin e tij, drejtoren e Departamentit të Organizatave të Veçanta Ndërkombetare, Angez Vatradi, dhe drejtorin e Departamentit të Marrëdhënieve Bilaterale, Viktor Ketskes.

Kryenegociatori Mazi u prit dhe zhvilloi konsultime në kabinetin e Kryeministrit të Hungarisë, me Janos Noka, kryekëshilltar dhe përfaqësues i Kryeministrit në BE, me Janos Balla, kryekëshilltar për Çështjet e Ballkanit, dhe me Janos Mate, drejtor për  Marrëdhënie Ndërkombëtare.

Kryenegociatori Mazi u paraqiti bashkëbiseduesve një ekspoze të gjerë të ecurisë dhe progresit substancial të Shqipërisë në të gjitha fushat gjatë 5 viteve të fundit. Ai u ndal veçanërisht në ecurinë e reformave, në përkushtimin e Qeverisë shqiptare për vazhdimësinë e reformave pa ulur ritmin, duke demonstruar arritjet.

Kryenegociatori Mazi në vijim theksoi plotësimin e gjithë kritereve dhe kërkesave të Këshillit Evropian nga Shqipëria për të mbajtur Konferencën e 1-re Ndërqeveritare brenda ketij semestri.

Zëvendëministrja e Drejtësisë, Adea Pirdeni, shtjelloi në detaje fazat dhe aspektet profesionale të reformave në fushën e shtetit të së drejtës,  të sistemit të Vetingut në Drejtësi, etj. Mikpritësve iu bë edhe një paraqitje e ecurisë së reformës në administratën publike dhe forcimin e institucioneve demokratike.

Kryenegociatori Mazi dhe mikpritësit hungarezë shkëmbyen mendime për një sërë aspektesh politike dhe gjeostrategjike në hartën evropiane. Ata u ndalën tek nevoja e një analize të gjithanshme dhe e një përqasjeje strategjike të procesit të zgjerimit.

Bashkebiseduesit ishin të nje mendje se procesi i zgjerimit duhet mos të humbasë momentin. Procesi duhet të vijojë pa bllokime, pavarësisht nga arsyet e momentit dhe afatshkurtra. BE duhet dhe do të gjejë forcat për ta bërë realitet orientimin dhe vendimin e saj strategjik per zgjerimin. Një Ballkan stabël, në siguri, me institucione demokratike solide, me një ekonomi vibrante, është në të mirën afatmesme dhe afatgjatë të Ballkanit Perendimor edhe të vetë BE-se. Mosndalja dhe mosngadalesimi i procesit të zgjerimit ka vetëm të mira, ai rrit kredibilitetin e BE-së.  Një BE e fortë i bën shtetet anëtare edhe më të forta.  BE-ja, me Ballkanin Perendimor brenda, është më e fortë,  më konkurruese, më vibrante, më në stabilitet, ajo ka me shume siguri dhe prosperitet.  Evropa pa Ballkanin Perendimor nuk mund të jetë e plotë,  e fortë dhe me anëtarë të fortë. Prandaj, duhet të vijojë pa humbur kohë zgjerimi me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ishin të një mendimi bashkëbiseduesit.

Nga gjithe mikpritesit hungareze u rikonfirmua qëndrimi i qartë, i palëkundur, i Hungarisë në mbështeteje të zgjerimit të BE-se me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Hungaria ka qenë dhe do vijojë të jetë mbështetëse e fortë, me zë të lartë,  për miratimin sa më parë të Kuadrit Negociator për Shqipërinë dhe për mbajtjen, brenda këtij semestri, të Konferencës 1-rë Ndërqeveritare. Hungaria theksoi se është e gatshme të japë gjithë ndihmesën e saj në këtë drejtim. Ajo ka sensibilitet të lartë për Shqiperinë dhe rajonin tonë.

Mikpritësit hungarezë, në të gjitha nivelet e larta që pritën Kryenegociatorin e Shqipërisë, Mazi, nënvizuan se Shqipëria ka pasur dhe në çdo kohë mund të mbështetet tek Hungaria. Ata rikonfirmuan se Hungaria, gjithë institucionet e saj, janë të gatshme të japin ndihmesën dhe përvojën e tyre konkrete. Dy popujt tanë kanë lidhje tradicionale historike shekullore. Këto duhen forcuar gjithnjë e më shumë. Hungaria është e gatshme të japë ndihmesë konkrete në një numër fushash, si në fazen aktuale të përgatitjeve për uljen në tryezën e hapjes teknike të negociatave ashtu edhe gjatë negociatave. Vizita shumë e ngrohtë, e frutshme, profesionale, e hapur dhe larpamëse, do të pasohet nga vizita të tjera në nivele teknike. Porta e Hungarisë është e hapur./ata